Dhjetë ditë nga sulmet e ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit

10 mars 2026 | 08:21

Dhjetë ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit, konflikti është përshkallëzuar ndjeshëm dhe ka përfshirë një pjesë më të gjerë të Lindjes së Mesme.

Irani ka reaguar me sulme hakmarrëse, ndërsa Izraeli ka ndërmarrë goditje edhe në Liban, duke rritur tensionet në rajon dhe duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës në tregjet botërore.

Autoritetet iraniane kanë zgjedhur si pasues të liderit suprem të ndjerë Ali Khamenei djalin e tij, Mojtaba Khamenei.

Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar se nuk e mbështet këtë zgjedhje dhe më herët kishte deklaruar se dëshironte të kishte rol në përzgjedhjen e liderit të ri të Iranit.

Trump ka thënë gjithashtu se lufta me Iranin mund të përfundojë “shumë shpejt”, por shtoi se SHBA-ja ende nuk ka “fituar mjaftueshëm”.

Ai paralajmëroi gjithashtu Teheran me “vdekje, zjarr dhe tërbim” nëse ndërhyn në transportin detar në Ngushticën e Hormuzit.

Në të njëjtën ditë kur Trump zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, ushtria amerikane konfirmoi edhe vdekjen e një tjetër ushtari në konflikt, duke e çuar në tetë numrin e përgjithshëm të ushtarëve amerikanë të vrarë që nga fillimi i luftës muajin e kaluar.

Viktima janë raportuar edhe në disa vende të tjera të rajonit, përfshirë Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Libanin, ndërsa ushtria izraelite vazhdon sulmet brenda territorit iranian.

Ndërkohë, ministrja britanike e Financave Rachel Reeves paralajmëroi se inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar mund të rritet për shkak të çmimeve më të larta të energjisë.

Britania ka shprehur mbështetje për mundësinë që vendet e G7 të lirojnë rezerva nafte për të stabilizuar tregjet.

Presidenti francez Emmanuel Macron ndërkohë ka vizituar Qipron, një nga vendet që ka përjetuar tensione dhe disa sulme që nga fillimi i luftës, raporton BBC.

Në të njëjtën kohë, Britania dhe disa vende evropiane kanë njoftuar se do të dërgojnë më shumë kapacitete ushtarake në jug të Evropës për të përforcuar sigurinë në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar sot se Irani do…