Dhjetëra të plagosur në protestat kundër kampeve për migrantët në Greqi

27 shkurt 2020 | 11:19

Mbi 60 persona janë plagosur, shumica e tyre policë, në përleshjet me protestuesit në ishujt grekë, Lesbos dhe Kios, të cilët kundërshtojnë planet për ndërtimin e kampeve të reja për emigrantët.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka bërë thirrje për qetësi, ndërsa do të takojë autoritetet lokale për të diskutuar rreth krizës.

Autoritetet në Athinë janë zotuar se do të ndërtojnë qendra të reja për emigrantët në Lesbos, Samos, Kios, Leros dhe Kos.

Të pesë ishujt shtrihen në brigjet e Turqisë, nga ku mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme, tash e sa vite, nisen drejt Evropës.

Banorët lokalë të ishujve kundërshtojnë ndërtimin e qendrave të reja për emigrantë.

Pas disa javësh bisedime midis qeverisë dhe banorëve lokalë, qeveria ka dërguar fshehurazi makineri të ndërtimit dhe qindra policë në Lesbos dhe Kios.

Protestat kanë shpërthyer qysh të martën.

Në ishujt grekë aktualisht ndodhen mbi 42 000 emigrantë.

Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi, ka kërkuar së voni nga Greqia që t’iu japë fund kushteve “tronditëse dhe të turpshme” në kampe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi, ka vizituar Administratën…