Dhjetëvjetori i pavarësisë pa komandantët e UÇK-së

13 shkurt 17:14

Nga Sejdi Hoxha

Te nderuara familje te dëshmorëve
Te nderuar invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës
Te nderuara familje të martirëve
Tani po festojmë 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës sonë, pa dyshim që më meritorët për këtë dite jeni ju dhe shumë persona të tjerë që në çdo formë dhanë kontributin e tyre për këtë ditë historike.

A është kjo ditë kuptimplotë sot ku festohet pa praninë e dizajnuesve dhe arkitektëve kryesorë të UÇK-së, z. Azem Syla dhe z. Sylejman Selimi?
Këta dy kolos të lirisë si dhe shumë komandantë e ushtarë të UÇK-së mbahen sot në burgje pa ndonjë arsye.

Azem Syla në moshën shumë të re si profesor i Kimisë kishte filluar veprimtarinë e tij kombëtare duke e mbjellë atë fillimisht tek nxënësit e tij të shkollës pastaj duke e zgjeruar veprimtarin edhe tek familjet e mëdha dhe besnike në të gjithë Kosovën.
Pastaj si djalë i vetëm i familjes kishte rënë në burg për disa vite, me gjithë maltretimet e tmerrshme që kishte përjetuar gjatë burgut kishte qenë e pamundur që pushtuesi ta nxjerr edhe një fjalë të vetme për shokët e tij me të cilët vepronte në atë kohë.

Që nga koha kur kishte përfunduar studimet dhe kishte filluar punën në arsim deri te dizajnimi dhe formimi i UÇK-së nuk ishte ndalur asnjëherë duke punuar për të qenë më vonë edhe maja e piramidës së këtij procesi.

A ka më të rëndë se pas shpalljes së pavarësisë së vendit, një figurë të tillë e një veprimtari dhe deputeti të Kuvendit të Kosovës i cili çdo ditë ishte i pranishëm në aktivitete publike, dhe ishte i gatshëm që sa herë që kërkohet t’i paraqitet drejtësisë pa u njoftuar paraprakisht me shkrim apo pa u ftuar sipas formave standarde i shkohet një mëngjes të hershëm në shtëpi duke i thyer brutalisht dyert, duke ia shqetësuar familjen e cila skena të tilla ka mundur të shoh në atë shtëpi viteve të ‘90-ta si dhe në filmat aksion ku qindra forca rrethojnë një familje për asgjë!

Pse u bë gjithë kjo bujë kur krejt ky proces ka mundur të përfundojë me një letër për paraqitje në organet e drejtësisë.
Pse z. Syla po bënë dy vite në burg pa u faktuar asnjë provë e vetme që përfshinë atë në akuza? Pse ai mos të jetë në arrest shtëpiak derisa të kryhet ky proces, duke marrë për bazë moshën dhe gjendjen e tij shëndetësore?

Arsyet e mbajtjes në burg janë nga më banalet e njëra nga to mund të lëvizë nga Kosova.

A beson dikush qe një njeri i cili tërë jetën e tij ia dedikon Kosovës dhe në fund e lëshon atë, a ka forma kur shteti garanton për një person të nivelit të tillë???

Kthehemi te gjeneral Sylejman Selimi, një djalë i ri i lindur në një familje që njihet për sakrificë dhe heroizëm, një djalë i cili në një moshë shumë të re mori mbi sipër udhëheqjen e zonës operative të Drenicës e më pas edhe udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

A ka diçka më shumë që këta dy burra të kombit dhe shumë të tjerë kanë mundur të bëjnë më shume për Kosovën dhe nuk kanë bërë?

A meritojnë këta kolos të lirisë që 10-vjetorin e Pavarësisë ta presin në burg?
A meritojnë familjet e tyre që këtë 10-vjetor të Pavarësisë ta presin pa praninë e tyre në familje?

Si meritojnë bashkëluftëtarët e tyre që këtë përvjetor ta presin pa komandantët e tyre?

Janë hipoteza të cilat duhet punuar shumë për t’i vërtetuar.

Te dashur komandantë,
Edhe pse padrejtësisht nuk jeni në mesin tonë për të festuar, edhe pse në bazë të atyre që shohim mund edhe të ju mbajnë në burg, edhe te ju dënojnë por një gjë jam i sigurt moralin e juaj për këtë tokë dhe për këtë vend nuk do të mund ta vrasin kurrë. Pavarësisht çdo epilogu për mua jeni dhe mbeteni hero të gjallë të këtij vendi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj dhe zëvendësministri Rexhep Kadriu, kanë…