
Dhoma e Tregtisë i kërkon ZRrE-së që ta shtyjë liberalizimin e tregut energjetik deri në vendimin përfundimtar të gjykatave
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK), ka thënë se situata e krijuar pas aktvendimit të nxjerrë nga Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale, ka sjellë sfida të reja për bizneset, të cilat kanë pritur një vendim të drejtë dhe meritor, siç e ka dhënë Shkalla e Parë e kësaj gjykate.
DhTIK-u në një reagim ka thënë se afati i dhënë nga ana ZRrE-së deri më 16 gusht për bizneset që të lidhin kontrata për furnizim, është shumë i shkurtë dhe shkakton probleme të mëdha për qindra biznese, të cilat nuk kanë nënshkruar me asnjë kompani të licencuar.
Në reagim është thënë se numër i madh i kompanive janë në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata Komerciale, ku kanë dorëzuar padi kundër këtij procesi. Të tjerat janë në procedurë përgatitjeje të ankesës edhe në instancat tjera gjyqësore, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
DhTIK-u ka njoftuar se i është drejtuar sërish me një kërkesë Zyrës së Rregullatorit për Energji, që ta pezullojë vendimin për Liberalizim të Tregut të Energjisë deri në vendimin përfundimtar të instancave gjyqësore.
“E ritheksojmë edhe njëherë se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, i qëndron prapa qëndrimit të saj që liberalizimin e tregut të energjisë elektrike duhet të pezullohet në tërësi dhe të nisin menjëherë konsultimet publike me të gjitha palët e interesit. Vlerësojmë se forma e zgjedhur nga ZRrE-ja për ta realizuar Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrikë është tërësisht e gabuar dhe e dëmshme për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Nga ky hap, rrezikohen shumë vende pune, ulje të kapaciteteve prodhuese, rënie të konkurrueshmërisë në treg dhe mbyllje të bizneseve”, është thënë në reagim.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar të mërkurën se që nga 16 gushti, konsumatorët të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar në treg të lirë, do t’u ndërpritet furnizimi me rrymë.
Në një njoftim për medie, ZRrE-ja ka njoftuar se e ka marrë aktvendimin e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, që ka refuzuar shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.