
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës mirëpret vendimin e Komerciales për shfuqizimin e vendimit të ZRrE-së
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës (G7) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale për shfuqizimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që detyronte bizneset të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ky vendim i Gjykatës vjen si një konfirmim i asaj për të cilën G7 dhe shumë biznese të vogla e të mesme kanë ngritur zërin vazhdimisht: imponimi i menjëhershëm dhe pa përgatitje i daljeve në tregun e lirë ishte i nxituar, i padrejtë dhe i paqëndrueshëm për mijëra biznese që nuk kishin kapacitetin për t’u përballur me një treg të papërshtatshëm dhe të paqëndruar.
“Ky proces i imponuar i vendosur nga ZRrE jo vetëm që rrezikonte mbylljen e dhjetëra bizneseve të udhëhequra nga gra, por cenonte thellësisht barazinë ekonomike dhe mundësinë për pjesëmarrje të drejtë në treg. G7 rithekson se liberalizimi i tregut duhet të jetë një proces i menaxhuar me kujdes, me politika tranzicioni, subvencione të drejta, mbështetje teknike dhe informim të qartë për të gjitha palët”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftimin G7-tës: “Nuk mund të flasim për një treg të lirë, nëse ai favorizon vetëm të mëdhenjtë dhe përjashton të vegjlit”.
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës i bëjnë thirrje ZRrE-së që të rishikojë me përgjegjësi vendimet e saj dhe të përfshijë në mënyrë reale komunitetin e bizneseve në çdo hap të politikëbërjes energjetike.
Në këtë kohë të sfidave ekonomike, nuk ka vend për politika që dëmtojnë prodhimin, punësimin dhe qëndrueshmërinë e bizneseve, veçanërisht të atyre që udhëhiqen nga gratë, të cilat tashmë operojnë në kushte të pabarazisë strukturore. Vendimi i Gjykatës është një fitore për drejtësinë ekonomike dhe një hap i rëndësishëm drejt rivendosjes së besimit në institucionet rregullatore. G7 do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri interesin e grave ndërmarrëse dhe të gjithë bizneseve që kërkojnë një treg të drejtë, të hapur dhe të qëndrueshëm”, thuhet ndër të tjera në njoftim.