“Dhomat e Specializuara nuk mund të gjykojnë lirinë”
Nga Washington DC : Prof. Dr. Fejzulla Berisha
1. Legjitimiteti kushtetues dhe karakteri juridik i Dhomave të Specializuara
Dhomat e Specializuara të Kosovës janë krijuar mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2015 dhe të Ligjit nr. 05/L-053, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Si të tilla, ato janë pjesë e sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës, të themeluara nga sovrani – populli i Kosovës – në përputhje me nenin 2 të Kushtetutës.
Ky fakt e bën të qartë se Dhomat e Specializuara nuk janë strukturë ndërkombëtare e pavarur, por mekanizëm juridik me mandat të kufizuar për të trajtuar pretendime specifike, në respekt të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës.
Çdo veprim apo vendim i Dhomave që del jashtë kornizës së Kushtetutës së Kosovës, ose që mbështetet në burime politike e të kontestuara, bie në kundërshtim me parimin e sovranitetit kushtetues dhe me shtetin e së drejtës.
Kjo gjykatë nuk mund të jetë as zgjatim i prokurorive serbe e as instrument i narrativës ruse, të cilat për dekada kanë ndërtuar një fushatë sistematike për ta delegjitimuar luftën e UÇK-së dhe për ta shtrembëruar të vërtetën historike të popullit shqiptar të Kosovës.
2. Parimet e drejtësisë kushtetuese dhe mbrojtja e të akuzuarve
Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenet 21, 22 dhe 31 garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke i inkorporuar drejtpërdrejt instrumentet ndërkombëtare si: -Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), -Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (1948), – dhe Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR).
Në këtë kontekst, të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi gëzojnë të drejtën e procesit të rregullt ligjor, prezumimit të pafajësisë, trajtimeve të barabarta para ligjit dhe mbrojtjes nga çdo formë e ndjekjes politike apo etnike.
Ata janë jo vetëm qytetarë të Republikës së Kosovës, por edhe përfaqësues legjitimë të luftës për liri, luftë e cila është njohur ndërkombëtarisht si e drejtë për vetëmbrojtje kombëtare në kuptimin e nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Prandaj, çdo përpjekje për t’i kriminalizuar udhëheqësit e luftës së UÇK-së, përmes akuzave të ndërtuara mbi burime serbe apo narrativa të fabrikuara, është cenim i drejtësisë kushtetuese dhe përpjekje për rishkrim të historisë nën ndikim politik.
3. Rreziku nga narrativat serbo-ruse dhe ndikimi i tyre në drejtësinë ndërkombëtare
Pas vitit 2010, me publikimin e të ashtuquajturit “Raport i Dick Marty-t”, diplomacia serbe, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga struktura politike dhe mediatike ruse, zhvilloi një fushatë të gjerë propagandistike kundër UÇK-së.
Qëllimi ishte i qartë: të ndryshohej perceptimi ndërkombëtar i luftës së Kosovës, duke paraqitur agresorin si viktimë dhe çlirimtarin si fajtor. Kjo qasje është thellësisht antijuridike dhe antidemokratike, sepse bie ndesh me: -jurisprudencën e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë (ICTY), ku Serbia është shpallur përgjegjëse për krime sistematike kundër njerëzimit; – dhe me parimet themelore të drejtësisë ndërkombëtare, të përcaktuara në Statutin e Romës (1998) dhe në Konventën kundër Torturës (1984). Nëse Dhomat e Specializuara vazhdojnë të pranojnë dëshmi, dokumente ose narrativa të prodhuara nga organet e sigurisë serbe apo burime të afërta me to, atëherë drejtësia jo vetëm që kompromentohet, por shndërrohet në mekanizëm të padrejtësisë së imponuar dhe në vegël të ndikimit politik ndërkombëtar. Një drejtësi që bazohet në dezinformim është një padrejtësi me uniformë gjyqësore.
4. Standardet ndërkombëtare dhe obligimet e Dhomave të Specializuara
Dhomat e Specializuara janë të detyruara që: – të zbatojnë parimin e paanshmërisë absolute, -të respektojnë të drejtën për mbrojtje efektive, – dhe të garantojnë proces të drejtë, proporcional dhe të dokumentuar mbi fakte reale, jo mbi perceptime politike. Sipas Parimeve të Bazelit për Pavarësinë e Gjyqësorit (1998) dhe Rezolutës 60/147 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (2005) mbi drejtësinë tranzicionale, çdo mekanizëm i këtij lloji duhet të jetë: -i pavarur nga ndikimi politik, – i fokusuar në drejtësi, jo në hakmarrje, – dhe i bazuar në respektimin e dinjitetit njerëzor.
Në të kundërtën, çdo proces që tejkalon kufijtë e mandatit kushtetues të Dhomave do të konsiderohet shkelje e sovranitetit juridik të Republikës së Kosovës dhe cenim i rendit kushtetues.
5.Drejtësi për individin dhe dinjitet për kombin
Drejtësia e paanshme është shtylla e çdo demokracie. Por drejtësia që ushqehet nga burime politike dhe narrativa armiqësore ndaj shtetit të Kosovës bëhet një instrument i dytë i luftës – një luftë kundër së vërtetës.
Kosova ka bërë kompromisin më të madh historik duke lejuar themelimin e Dhomave të Specializuara, me qëllim që drejtësia të jetë transparente dhe profesionale. Por kjo drejtësi nuk duhet të përdoret për të ndëshkuar çlirimtarët, ndërsa krimet e shtetit serb mbeten të pandëshkuara.
Nëse drejtësia e Hagës e humb baraspeshën mes ligjit dhe politikës, ajo do të mbetet në histori si një dështim moral dhe institucional.
Prandaj, është detyrim etik, kushtetues dhe ndërkombëtar që Dhomat e Specializuara të: -respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, -mos mbështeten në dosjet e fabrikuara serbe, -mos pranojnë narrativat e ndikimit rus, -dhe të garantojnë një proces të drejtë që afirmon të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës.
Vetëm një drejtësi që mbrohet me ligj e me dinjitet mund të jetë drejtësi e vërtetë. Çdo drejtësi që përkulet para presioneve politike, humb moralin dhe besimin e popullit që pretendon ta shërbejë.



