Dhunë brutale në Serbi

18 nëntor 2025 | 07:57

Protestat në Serbi janë tensionuar ndjeshëm ditën e djeshme, duke kulmuar me skena dhune të ashpër mes policisë dhe qytetarëve në Novi Sad. Në rrjetet sociale u publikuan pamje ku shihet një pjesëtar i xhandarmërisë duke goditur një vajzë në kokë dhe duke e tërhequr zvarrë për flokësh, ndërsa qytetarët që tentuan ta ndalonin u sulmuan gjithashtu.

Këto ngjarje ndodhën në mes të krizës që ka tronditur opinionin publik, pasi disa persona po vazhdojnë grevën e urisë si formë proteste kundër autoriteteve. Shoferi serb Milomir Jacimoviq është në ditën e tetë të grevës së urisë, ndërsa njëri prej autobusëve të tij, që më herët iu ishte kthyer, u konfiskua sërish nga policia – gjë që shkaktoi reagime të ashpra te qytetarët dhe çoi në përplasje të dhunshme.

Kurse Dijana Hrka, nëna e Stefan Hrkës që humbi jetën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, e ndërpreu grevën e urisë pas 16 ditësh, pas këshillave mjekësore dhe presionit të qytetarëve që i kërkuan të kujdesej për shëndetin e saj.

Në Novi Sad, policia përdori kordone të xhandarmërisë dhe pajisje për shpërndarjen e protestave për të larguar qytetarët që mbronin autobusët e Jacimoviqit. Gazetarë në terren raportuan se edhe ata janë shtyrë nga forcat e rendit gjatë ndërhyrjes.

Ndërkohë, protestat e studentëve po vazhdojnë në disa qytete. Ata denoncojnë sulme kibernetike, mbyllje të llogarive në rrjetet sociale dhe presione të tjera për t’i heshtur. Në Novi Sad, një student u plagos gjatë përplasjes me policinë, ndërsa në mbrëmje u mbajtën protesta të gjera kundër dhunës policore.

Në të njëjtën ditë u përkujtua edhe Anja Radonjiq, studentja dhe sportistja që humbi jetën një vit më parë nga plagët e marra pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor – një tragjedi për të cilën ende nuk ka përgjegjësi të përcaktuar. Bashkë me të humbën jetën edhe 15 serbë të tjerë.

Situata në Serbi mbetet e tensionuar, me protesta që pritet të vazhdojnë dhe thirrje të reja për bllokime të mëdha qytetesh në ditët në vijim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa orë pas paralajmërimit dramatik të Ministrit gjerman të Mbrojtjes…