Dialogu, koha e fundit për t’u përfunduar

22 qershor 2020 | 13:09

Hysni Gucati

Pas dhënies së mendimit këshilldhënës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) rreth aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 9 shtator 2010, miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbisë, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Kjo rezolutë u miratua me konsensus nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Dialogu me Serbinë është karakterizuar nga ndërprerje dhe vonesa të kohëpaskohëshme si pasojë e tensioneve qoftë të brendshme apo edhe ndërmjet dy vendeve. Në veçanti, zgjedhjet nacionale në të dy vendet gjatë vitit 2014 shkaktuan vonesa të mëdha në zhvillimin e dialogut. Së fundmi, dialogu ishte pezulluar me anë të një rezolute të Kuvendit të Kosovës në mars të vitit 2017, pas arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë. Që të mos zgjatemi me historikun e bisedimeve, secila Qeveri e Kosovës gjerë më tani dialogun me Serbinë e ka neglizhuar dhe bisedimet Kosovë – Serbi kanë qenë të dështuara. Këtë radhë qeveria Hoti e ka rastin dhe shansin e madh historik për t’i dhënë fund dialogut Kosovë – Serbi, temës më të ndjeshme dhe më me peshë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Dialogu Kosovë – Serbi, siç dihet, ishte proces i dështuar dhe i pasuksesëshëm. Pos kësaj, stërzgjatja e tij nga paaftësitë tona dhe presioni i madh i Rusisë e Serbisë për të përfituar në kohë që ky proces mos të zgjidhet shpejt, solli pasoja të mëdha në zhvillimin e vendit, por edhe krijoi defekte që janë të vështira për t’u riparuar. Shumëkush edhe mund të pyesë cilat janë këto defekte. Së pari po e përmendi eksterritorialitetin që është brengë dhe plagë e jona që e pengon procesin zhvillimor të vendit, së dyti, fusnota e cila në një mënyrë a në tjetrën e defaktorizon shtetësinë e Kosovës. Fusnota është një hallkë që e lidhë Kosovën dhe Serbinë në një varg procesesh zyrtare. U bënë 20 vjet që Serbia i mbanë pengë mbi 1 500 persona shqiptarë të Kosovës të cilët konsiderohen të zhdukur. Pothuajse askush në Serbi nuk është dënuar për krimet e kryera në Kosovë. Për hatër të minoritetit serb, që është minoriteti më i privilegjuar në botë, serbët i përdorin dy parë tabela për veturat e tyre. Disa sektorë shtetërorë nëpër enklava (vende ku minoriteti serb është shumicë), nuk i zbatojnë ligjet e Kosovës, këtu bënë pjesë një sektor i arsimit, shëndetësisë etj. Deri më tani janë arritur mbi 32 marrëveshje në nivelin teknik dhe politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, shumica prej këtyre marrëveshjeve kanë adresuar çështje me rëndësi për jetën e qytetarëve, por që pothuajse asnjëra nuk ka gjetur zbatueshmëri nga Serbia, edhe ndonjë marrëveshje që ka gjetur zbatueshmëri, është zbatuar njëanshëm. Për këtë arsye formati i bisedimeve kësaj radhe duhet ta marrë formën përfundimtare duke i dhënë fund dialogut Kosovë – Serbi dhe arritjen e një marrëveshje finale ku Kosova nuk do të dëmtohet siç ka ndodhur në bisedimet e m hershme Kosovë- Serbi. Si pasojë e kësaj, Kosova ende nuk e ka të shtrirë sovranitetin në të gjithë territorin e vet. Minoritetit serb i mungojnë transparenca dhe llogaridhënia për shkak të instrumentalizimit të tij nga pushteti i Beogradit. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Serbia në vazhdimësi është angazhuar në mënyrë aktive për ta penguar forcimin e brendshëm dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, Serbia ka vazhduar të lobojë dhe pengojë konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Me një fjalë, bisedimet dhe marrëveshjet e deritanishme Kosovë – Serbi nuk kanë asgjë të definuar përveç se pakicës serbe i kanë dhënë të drejta që e diskriminon shumicën shqiptare. Shkëmbimi territorial në dëm të Kosovës lë probleme të hapura të natyrave të armatosura dhe hapë probleme që me vështërsi mund të hyjnë në binarë. Dialogu gjatë qeverisë Thaçi II (2011-2014) arriti një marrëveshje në Bruksel e cila precizon se “do të ketë një komandant regjional të policisë për katër komunat me shumicë serbe, i cili do të jetë i nacionalitetit serb, si dhe parimet e përgjithshme për integrimin e autoriteteve gjyqësore paralele në kuadër të kornizës së sistemit juridik të Republikës së Kosovës”. Kurse dialogu gjatë qeverisë Mustafa (2014-2017) në përgjithësi pësoi goditje të mëdha, veçanërisht me angazhimin e diplomacisë serbe kundër njohjes së shtetit të Kosovës apo anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare si UNESCO dhe INTERPOL, si dhe murin e ndërtuar në urën e Mitrovicës në një kohë kur pritej hapja e kësaj ure. Më vonë, me vendimin e Qeverisë së Kosovës më 12 janar 2018, në bazë të kërkesës së BE-së, kryeministri Haradinaj emëroi shefin e stafit të tij, Avni Arifi, shef të negociatave me Serbinë. Në këtë kohë kryeministri Haradinaj në një mbledhje të qeverisë argumentoi se “dialogu politik përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi, ndërsa shefi i negociatave do të jetë në gjendje ta përcjellë rrjedhën e vendimmarrjeve në politikë. Po në këtë periudhë, më 15 janar 2018, BE-ja ftoi palët për ta vazhduar dialogun teknik dhe për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Ndërsa pala e Kosovës filloi takimet me zyrtarët e lartë, në po të njëjtën ditë, në Mitrovicë të veriut u vra lideri serb i partisë SDP, Oliver Ivanoviq. Për këtë arsye pala serbe u tërhoq nga bisedimet duke kërcënuar me moskthim në dialog deri në zbardhjen e kësaj vrasjeje. Me këtë dua të them se Kosova ende mbetet vendi i vetëm i Ballkanit perëndimor pa një të ardhme të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por edhe të pavarësimit të plotë nga Serbia. Për më tepër, mundësia e ricaktimit të kufijve sipas disa shteteve të rajonit, mund të ketë pasoja negative për stabilitetin e rajonit, meqë kërkesa të ngjashme mund të vijnë nga Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia apo Mali i Zi. Përderisa Marrëveshja e Brukselit është mjaft teknike në esencë, plani i Ahtisarit e sheh të ardhmen e Kosovës si një shoqëri shumetnike, e qeverisur në mënyrë demokratike dhe në respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Megjithatë, asnjëri prej këtyre dy dokumenteve, të paktën deri më sot, nuk janë zbatuar në praktikë. Kosova, edhe pse është me një popullsi shumicë mbi 90 për qind shqiptarë, në bisedime është konsideruar si vend shumetnik. Padrejtësitë që i janë bërë Kosovës nga viti 2000 e gjerë më sot e kanë plagosur rëndë progresin e Kosovës. Këto plagë kërkojnë shërim. Për shumë kënd, dialogu ka qenë më shumë një dialog i elitave sesa një proces që i adreson nevojat e qytetarëve dhe realitetin e tyre. Për momentin, është vështirë të arrihet një konsensus në Kosovë për t’i dhënë pakicës serbe më shumë sesa parashikon plani i Ahtisarit, teksa në të njëjtën kohë është më se e pamundshme që shumica e serbëve ta mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Problemet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë rritur shumë, pengesat e vazhdueshme të Serbisë në shtetndërtimin e Kosovës i kanë tejkaluar caqet e ç’do durimi të mundëshëm, prandaj e vetmja rrugë për tejkalimin e kësaj krize para eksplodimit është zgjedhja përfundimtare e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj, i është drejtuar klubit me…