Dialogu me të ardhme të paqartë, dallimet për reciprocitetin vendosin bllokadë të re

26 shtator 2021 | 12:10

Barrikadimi i qëndrimeve pas vendosjes së masës së reciprocitetit ndaj targave të automjeteve serbe pritet ta stopojë dialogun Kosovë-Serbi.

Insistimi i Kosovës për ligjshmërinë e reciprocitetit dhe vendosja e kushteve nga pala serbe ka bërë që e ardhmja e procesit të dialogut të jetë e paqartë, përkundër ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian.

Megjithëse situata në veri po vlerësohet si arsye kryesore, njohësit e procesit të dialogut kanë thënë se i njëjti veçse ka hyrë në ngërç për shkak të zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm në Serbi.

Paqartësi të mëdha në procesin e dialogut po sheh hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, e cila ka thënë për “Kosovapress” se pas vendimit për reciprocitet vështirë se mund të ketë progres në dialog.

“E ardhmja e këtij procesi është goxha e paqartë në këtë moment dhe nuk ka diçka konkrete se kur mund të ketë progres në këtë proces. pavarësisht dëshirës së zotëri Lajçak që të ketë rezultate konkrete, në fund varet tërësisht nga vullneti i Kosovës dhe Serbisë se sa janë ato të gatshme të lëvizin dhe të ketë progres në këtë proces. Çfarë është me rëndësi është të ketë përkushtim të Kosovës dhe Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura, pasi këto po ndikojnë edhe jetën e qytetarëve në terren. Ne po shohim që çështja e targave të veturave është diçka që lidhet direkt me mirëqenien e qytetarëve dhe lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe brenda Kosovës”, ka thënë ajo.

Pavarësisht ndaljes se mundshme të dialogut, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë për “Kosovapress” se vendimi për reciprocitet do t’i japë një dimension të ri dialogut Kosovë-Serbi, kurdo që rifillon ai.

Ndërsa njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, ka thënë se dialogu me Serbinë ka hyrë në ngërç politik edhe për shkak të zgjedhjeve lokale në Kosovë, por edhe zgjedhjeve nacionale në fillim të vitit të ardhshëm në Serbi.

“Ne vetëm kemi hyrë në një ngërç për shkak të zgjedhjeve në Kosovë, zakonisht edhe në të kaluarën nga përvoja ime në dialog sa herë kemi pas zgjedhje në Kosovë, por edhe Serbi kemi pas një lloj pushimi të takimeve të nivelit të lartë, por grupet e nivelit teknik kanë vazhduar punën edhe marrëveshjet janë zbatuar. Kjo ndikon në ecurinë e dialogut, por ne si Kosovë duhet të bëjmë përpjekje të madhe drejtë finalizimit të këtij procesi dhe mos të vazhdojmë në një pafundësi të dialogut teknik”, ka thënë Raci.

Pas vendimit për reciprocitet për targat e automjeteve serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i gatshëm për një takim me presidentin serb, Vuçiq, mirëpo vetëm si palë të barabarta. Një gjë të tillë e ka refuzuar Vuçiq i cili ka vendosur katër kushte, ndër to tërheqjen e njësive speciale nga veriu, tërheqjen e vendimit për reciprocitet dhe themelimin e asociacionit të komunave serbe.

Kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq kanë zhvilluar vetëm dy takime në Bruksel gjatë këtij viti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Puntata e sotme e emisionit “Goca dhe Gra” ka nisur…