Dialogun Kosovë – Serbi nuk mund ta ndalë askush

06 janar 2019 | 13:32

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë me dije se procesin e dialogut me Serbinë nuk mund ta ndalë askush.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës nuk ka alternativë tjetër pos dialogut dhe marrëveshjes historike me Serbinë.

Në pjesën e dytë të intervistës dhënë gazetës “Epoka e re” për numrin festiv, kryediplomati Pacolli ka vlerësuar se Kosova e dëshiron kontratën e paqes me fqinjën veriore, me të cilën Serbia obligohet ta njohë Kosovën shtet i pavarur dhe sovran.

“Republika e Kosovës e dëshiron dialogun dhe dëshiron kontratën e madhe të paqes. Me këtë kontratë, Serbia obligohet ta njohë Republikën e Kosovës menjëherë dhe mos ta pengojë më Kosovën në integrimet e saj euroatlantike. Besoj shumë se ky dialog do të ndodhë dhe askush nuk mund ta ndalë këtë proces, sepse dialogu është një evolucion i kohës moderne”, ka thënë Pacolli.

Ai ka deklaruar se edhe letra e presidentit amerikan Donald Trump e obligon Kosovën për dialog me Serbinë. Pacolli ka thënë se presidenti amerikan pret që marrëveshja finale të festohet në Shtëpinë e Bardhë.

“Letra e presidentit Trump tregon qartë se duhet të ndodhë marrëveshja historike dhe paqja në mes këtyre dy shteteve. Nëse studiohet kjo letër, nuk lihet asnjë alternativë tjetër, pos uljes në tavolinë dhe trajtimit në mënyrë serioze të kësaj çështje, deri në arritjen e marrëveshjes historike. Presidenti amerikan pret që në Shtëpinë e Bardhë të festohet për këtë marrëveshje”, është shprehur Pacolli.

Ministri Pacolli ka ftuar edhe dy partitë e mëdha opozitare që t’i bashkohen ekipit negociator të Kosovës në dialog. Sipas tij, Kosovës në këtë proces i duhet unitet politik dhe jo përçarje. Pacolli ka bërë me dije se nëse nuk do të ketë unitet politik në këtë proces Kosova do të çalojë.

“Epoka e re”: Z. Pacolli, këtë vit Kosova do ta fillojë procesin e fazës finale të dialogut me Serbinë. Sa sfidues do të jetë ky proces për shtetin e Kosovës dhe politikën e jashtme?
Pacolli: Ndoshta kam pasur të drejtë që çdoherë kam thënë se dialogu është e vetmja alternativë e Kosovës. Kam qenë çdo herë ithtar i madh i dialogut. Prej se jam në skenën politike, gjithmonë kam thënë se opsioni i luftës ka marrë fund dhe kurrë më këtu nuk do të ketë luftë. Serbia duhet të ulet në tavolinë me Kosovën duke pranuar faktin se në këtë rajon ka lindur një shtet para dhjetë vjetëve, i cili tashmë ka kushtetutën e vet, kufijtë dhe institucionet e veta. Ky shtet është demokratik dhe komuniteti serb gëzon të drejtat më kualitative që mund t’i gëzojë një pakicë tjetër kombëtare diku në botë. Serbia, po ashtu, duhet ta kuptojë se, nëse dëshiron të bashkëpunojë me Kosovën dhe të përfitojë nga tregu i saj, duhet ta respektojë faktin që e përmenda më lart dhe të filloj të dialogojë me të njëjtin nivel me Kosovën. Republika e Kosovës e dëshiron dialogun dhe dëshiron kontratën e madhe të paqes. Me këtë kontratë, Serbia obligohet ta njohë Republikën e Kosovës menjëherë dhe mos ta pengojë më Kosovën në integrimet e saj euroatlantike. Besoj shumë se ky dialog do të ndodhë dhe askush nuk mund ta ndalë këtë proces, sepse dialogu është një evolucion i kohës moderne. Po e shohim çdo ditë se ky evolucion po mbështet nga faktori ndërkombëtar.

“Epoka e re”: Përmes një letre drejtuar presidentit Hashim Thaçi, presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka kërkuar që Kosova të flasë me një zë rreth dialogut. Si duhet t’i përgjigjet spektri politik kësaj letre?
Pacolli: Letra e presidentit Trump tregon qartë se duhet të ndodhë marrëveshja historike dhe paqja në mes të këtyre dy shteteve. Nëse studiohet kjo letër, nuk lihet asnjë alternativë tjetër, pos uljes në tavolinë dhe trajtimit në mënyrë serioze të kësaj çështje, deri në arritjen e marrëveshjes historike. Presidenti amerikan pret që në Shtëpinë e Bardhë të festohet për këtë marrëveshje.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej kësaj letre, opozita po e kundërshton këtë proces. Sipas saj, kompromisi për vendin do të jetë i dhimbshëm. Cili është komenti juaj?
Pacolli: Është mendim i tyre. Unë jam ministër i Punëve të Jashtme dhe qëndrimet e mia rreth këtij procesi janë ato që përfshijnë mendimin e unifikuar të spektrit politik në Kosovë. Në momentin që ka tema, unë do të flas për këto tema, dhe në momentin që ka një deklaratë e cila mbështetet nga faktori politik në Kosovë, atëherë unë do të flas për atë deklaratë. Tani për tani, nuk dua të flas as për vendimet e presidentit e as për atë të ekipit shtetëror të dialogut.

“Epoka e re”: Çfarë nëse nuk do të ketë unitet të plotë Kosova në këtë proces?
Pacolli: Unë kërkoj vetëm unitet politik. Nëse nuk ka unitet politik ne do të çalojmë në këtë proces. Sot ekipi negociator për dialog duhet të punojë në harmoni me presidentin e vendit. Presidenti deri sot ka qenë autori i dialogut dhe unë jam i bindur se presidenti ka vullnet të bisedoj dhe të bashkëpunojë me delegacionin shtetëror të dialogut.

 Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Agron Hoti  Fundi i botës Po thuhet nga qarqe…