
Diaspora e Kosovës solli rreth 928 milionë euro për tetë muajt e parë të 2025
Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar statistikat e bilancit të pagesave, remitancave, investimeve direkte etj.
BQK-ja ka njoftuar se remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në korrik 2025 shënoi 785.06 milionë euro, që paraqet rritje prej 31.27 milionë euro ose 4.15% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Ndërsa, sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin gusht 2025 ishin rreth 143.4 milionë euro, duke arritur kështu vlerën 928.48 milionë euro (preliminare) për tetë muajt e parë të vitit 2025.
Sipas këtyre statistikave, prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit gusht kanë qenë përmes IFJB me 41.02% përmes bankave komerciale me 17.19% dhe kanaleve tjera me 41.79%.
Ndërkaq, BQK-ja ka dhënë statistika edhe lidhur me investimet direkte. “Investimet Direkte në Kosovë deri në fund të korrikut 2025 ishin 540.94 milionë euro që paraqet një rritje prej 24.24% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 212.78 milionë euro”, thuhet në raport.
Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar po ashtu lidhur me borxhin e jashtëm bruto. “Borxhi i jashtëm bruto – i cili përfshinë borxhin publik dhe privat në fund të tremujorit të dytë 2025, arriti vlerën 4.43 miliardë euro, e cila paraqet rritje prej 218.19 milionë euro krahasuar me tremujorin paraprak. Kontribuuesi kryesor i rritjes së borxhit të jashtëm në Kosovë ishte sektori privat për 133.13 milionë euro, ndërsa borxhi publik u rrit për 85.05 milionë”, bëhet e ditur në raport.
Ndërkaq, sa i përket borxhit të sektorit publik – në fund të tremujorit të dytë 2025 arriti vlerën 1.02 miliardë euro duke marrë pjesë me 23.03% në gjithsej borxhin e jashtëm.
Pjesa më e madhe e borxhit publik përbëhet nga borxhi i jashtëm i qeverisë, i cili në fund të tremujorit të dytë 2025 ishte 857.81 milionë euro.
BQK-ja ka prezantuar edhe të dhëna për borxhin e sektorit privat. “Borxhi i sektorit privat – të tremujorit të dytë 2025 arriti vlerën 3.41 miliardë euro. Pjesëmarrësit në borxhin privat janë bankat komerciale 21.10% kompanitë në relacion të investimeve direkte 27.31% dhe sektorët tjerë 51.59%, thuhet në raport.
Sa i përket bilancit tregtar, në mallra deri në fund korrikut 2025 shënoi deficit në vlerë 3.19 miliardë euro, që është për 19.03% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë shënoi vlerën 528.27 milionë euro e që paraqet rënie prej 1.71%, ndërsa importi i mallrave shënoi rritje prej 15.57% duke arritur vlerën 3.72 miliardë euro.
N
dërsa sa i përket pozicionit të investimeve ndërkombëtare, në tremujorin e dytë 2025, u karakterizua me rritjen e vlerës së aseteve ndërkombëtare për 280.91 milionë euro dhe detyrimeve ndërkombëtare për 468.12 milionë euro. Vlera e akumuluar e aseteve ndërkombëtare në fund të qershor 2025 shënoi 8.41 miliardë euro, ndërsa vlera e detyrimeve 10.96 miliardë euro.