Dick Marty i mori provat nga Serbia, e konfirmon ky diplomat (Video)

19 janar 2019 | 22:38

Milan St. Protiq, ish-ambasador i Serbisë në Zvicër, në emisonin “Mysafiri i ditës“, të televizionit serb TV HAPPY, me rastin e promovimit të librit të tij, “Vendi i Wilhem Telit”, ka folur edhe për kohën dhe rrethanat e njoftimit me ish-raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty, bashkëpunimit që kanë pasuar me Martyn si ai ashtu dhe prokuroria serbe për krimet e luftës, përkatësisht se si i mori Dick Marty “provat” nga prokuroria serbe në bazë të të cilave edhe e hartoi Raportin e tij në vitin 2010 për Këshillin e Evropës, raporton Gazeta “Evropa“.

Fillimisht, duke prezentuar përmbajtjen e librit, ish-ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, e ka çmuar si tejet të vlershëm dhe madje edhe intrigant si për lexuesit ashtu dhe për publikun, siç është shprehur ai, “rrëfimin për Dick Martyn, raportuesin e Këshillit të Evropës për ‘Shtëpinë e verdhë’ dhe trafikimin me organet njerëzore“.

“Idea ime e parë me t’u vendosur në Zvicër faktikisht ka qenë ta takoj Dick Martyn, i cili në atë kohë posa ishte emëruar raportues i Këshillit të Evropës. Nga ana e prokurorisë sonë për krime të luftës, kam qenë paraprakisht i informuar se dëshmitë tona mbi atë se çfarë ka ndodhur në veri të Shqipërisë kanë qenë shumë të forta dhe bindëse, dhe kam vlerësuar se ky është një shkak i mjaftueshëm që veprimi im i parë në Zvicër të jetë njoftimi me Dick Martyn dhe atë e kam njohur para se të dorëzoja letrat kredenciale dhe kam vazhduar të bashkëpunojë me të”, kështu e përshkruan në detaje në emision ish-ambasadori serb në Zvicër, Protiq, motivin që e ka shtyer për ta takuar dhe për t’u njoftuar me Dick Martyn posa ishte vendosur në Zvicër, madje pa dorëzuar ende letrat kredenciale.

Temë e pashmangshnme e bashkëbisedimit të tij me drejtuesit e emisionit ka qenë edhe Raporti i dorëzuar nga Dick Marty më 16 dhjetor 2010 në Këshillin e Evropës, mënyra e hartimit të tij, çfarë kishte faktikisht nga provat Dick Marty dhe në cilat materiale dhe prova e mbështeti Marty këtë raport.

“Mund të them se pjesa më e madhe e provave materiale janë ato që ka mbledhur prokuroria jonë për krime të luftës, që është një material i jashtëzakonshëm, ndoshta më i miri që është punuar ndonjëherë, dhe detyra ime ka qenë që t’ia ofrojë, t’ia sygjeroj dhe tregoj atë material, të ndihmojë për të ardhur deri tek kontakti ndërmjet përfaqësuesit të prokurorisë sonë dhe Dick Martyt, dhe në fund ia kemi arritur kësaj”, thotë ish-ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq.

Dhe, përpjekjet e ambasadorit serb në fund rezultojnë të sukseshme jo vetëm në realizimin e takimit të Dick Martyt me përfaqësues serb të prokurorisë, por edhe në dorëzim e gjithë materialit që kishte grumbulluar ajo.

“Dick Marty e ka pranuar materialin e mbledhur me përkushtim nga njerëzit tanë nga prokuroria, hetuesit, përfshirë edhe policinë, që kanë punuar në të, dhe në bazë të tij e ka hartuar raportin. Ai vetë nuk ka pasur kurrëfarë provave bindëse dhe serioze”, thotë ish-ambasadori serb përkitazi me Raportin famoz i cili solli pas vetes një fushatë të ashpër akuzash nga më monstruozet mbi bazën e pretendimeve të Dick Martyt në drejtim të pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tjetër Schumacher hyn zyrtarisht në botën e Ferrarit. bëhet…