Diellza Kurteshi përfaqëson Kosovën në “Youth Future Summit 2026” në Gjenevë
Diellza Kurteshi ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në “Youth Future Summit 2026”, i cili u mbajt nga 5 deri më 8 shkurt në Gjenevë të Zvicrës, duke marrë pjesë si pjesë e Core Team dhe Delegate e Kosovës.
Në një nga qendrat kryesore të diplomacisë ndërkombëtare, Kurteshi tha se pjesëmarrja e saj në këtë samit ishte një nder dhe përgjegjësi e madhe, pasi përfaqësoi zërin e të rinjve kosovarë në një platformë globale dialogu dhe bashkëpunimi.
“Pjesëmarrja ime në Youth Future Summit 2026 në Gjenevë si pjesë e Core Team dhe Delegate e Republikës së Kosovës ishte një nder dhe përgjegjësi e madhe. Në zemër të diplomacisë ndërkombëtare, përfaqësova zërin e të rinjve të vendit tim, duke kontribuar me ide, vizion dhe angazhim për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të drejtë”, ka deklaruar ajo.

Ajo theksoi se nga Kosova në skenën globale erdhi me përkushtim dhe lidership, duke shprehur besimin se të rinjtë janë forca që formëson të ardhmen.
Në këtë samit morën pjesë mbi 100 të rinj liderë dhe aktivistë nga Azia, Afrika, Evropa, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Oqeania.

Gjatë disa ditëve intensive, ata u angazhuan në diskutime dhe iniciativa që synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe adresimin e sfidave globale.



