Dikur, Prishtina nuk ishte thjesht një skuadër, por ishte zemra që rrihte në gjoksin e çdo shqiptari

04 maj 2025 | 07:19

Shkruan: Astrit Gashi 

Ishte një kohë kur Prishtina nuk ishte vetëm një ekip futbolli, por një emocion, një krenari, një sfidë dhe një ëndërr kolektive shqiptare që rrihte në çdo zemër. Kur ajo luante në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë, të gjitha rrugët të çonin në një vend të vetëm në Stadiumin e Qytetit. Ai amfiteatër i betejave tona sportive mbushej plot, përplot, deri në frymën e fundit. S’kishte më bileta, s’kishte më ulëse njerëzit qëndronin në këmbë, ngjiteshin në pemë, në mure, në çati, vetëm e vetëm për të parë ekipin e zemrës. Ishte një gjendje kolektive, një lëvizje emocionale që tejkalonte sportin ishte shprehja më e pastër e identitetit tonë të nëpërkëmbur, që ngrihej mbi barin e fushës për të treguar se jemi këtu, dhe dimë të fitojmë.

Unë isha vetëm një fëmijë, i ngulur pas tranzistorit të vogël, duke pritur me padurim nisjen e “Pasdites Argëtuese Sportive”. Ato orë ishin betejë, ishin sfidë ishin gjithçka për mua. E gjithë Kosova bëhej sy e vesh nuk punohej, nuk lëvizte kush, vetëm dëgjohej dhe pritej zëri i komentatorit që na përçonte drithërimat e një ëndrre të madhe.

Kur luanim me Sarajevën, Rijekën, ndiheshim të fortë, sepse fitoret ishin të zakonshme, të natyrshme. Por kur përballë dilnin Crvena Zvezda e Partizani gjërat ndryshonin. Ato përballje ishin më shumë se ndeshje. Ishin përballje politike, krenare, të heshtura por të vendosura. Duhej të fitonim! E kërkonim me gjithë shpirt, jo vetëm për pikët, por për dinjitetin tonë të përbuzur, për të treguar se kush jemi, për t’i mposhtur në fushë ata që përditë na diskriminonin në shkolla, në punë, në jetën tonë të përditshme.

Çfarë ekipi… o Zot, çfarë ekipi kishim! Legjenda, jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë shqiptarët. Prishtina ime fillonte me formacionin që ishte alfabet i çdo shqiptari;

1. Zhavelli, 2. Muriqi, 3. Domi, 4. Rama, 5. Shengyli, 6. Mehinoviq, 7. Nexhipi, 8. Kelmendi, 9. Fadil Vokrri, 10. F. Muriqi, 11. Batroviç.

Ata ishin heronjtë tanë, gladiatorët tanë. Vokrri ishte Perëndia e fushës, shpirti i krenarisë sonë. Kur ai shënonte, shënonim të gjithë. Ai nuk ishte vetëm futbollist ishte simboli i një populli që nuk dorëzohej.

Sot, shumë vite më pas, ende më dridhet zemra kur e kujtoj atë kohë. Sepse kur luante Prishtina, nuk luante vetëm një ekip por luante Kosova. Dhe për ne, fitorja nuk ishte luks por ishte domosdoshmëri, ishte mbijetesë shpirtërore, ishte dëshmia më e gjallë se shqiptarët, edhe nëpër stadiume, dinë të ngrihen, dinë të qëndrojnë, dinë të fitojnë.

Sonte, kur po shkruaj, Prishtina po luan me Ballkanin.
Asnjë emër nuk më flet. Asnjë atmosferë nuk më prek. Stadiumi është thuajse bosh, tribuna pa zë, fusha pa zjarr. Një ndeshje pa shpirt, pa identitet, pa atë krenari që dikur e mbushte qytetin me jetë.

Nuk ndjej asgjë nga ajo çka ndjeja dikur. Ndërsa i shtypja këto fjalë, u ktheva shumë dekada pas.
Në një kohë kur Prishtina ishte krenaria jonë, dhe çdo ndeshje ishte një betejë.
Sot nuk kemi më Zhavellin, Vokrrin, Nexhipin… por kam kujtimet.
Kam emocionin që më mbajti gjallë ndër vite.
Kam fëmijërinë time, një tranzistor të vogël dhe një zemër që digjej për një ekip që përfaqësonte shumë më shumë se futbollin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri britanik për Evropën Denis MacShane, foli nga Londra live…