“Dikush do të hy në burg”, Rama vazhdon akuzat ndaj Muratit – thotë se po ua bllokon 35 milionë euro jashtëligjshëm
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është shprehur i bindur se dikush do të përfundojë në burg pas kallëzimit penal që ka dorëzuar kundër Ministrit në detyrë, Hekuran Muratit dhe tre zyrtarëve të kësaj ministrie për mosalokimin e mjeteve nga të hyrat vetanake.
Rama tha se bëhet fjalë për 35 milionë euro që i janë bllokuar komunës që ai e udhëheq.
Ai tha se Murati mund t’i shmanget një skenari të tillë duke u arsyetuar se është ministër në detyrë, por se në fund barra do të bie tek zyrtarët, shkruan Reporteri.net.
“E thejnë ligjin edhe qind për qind dikush prej tyre do të hy në burg. Ky nuk e ka këtë problem sepse mundet teknikisht me i ik burgut sepse thotë jam në detyrë, e këta tjerët e kanë përgjegjësi. Edhe i përdorë, edhe i shti në burg”, ka deklaruar Rama.
Sipas Ramës, bllokimi i këtyre mjeteve është i jashtëligjshëm.
“Është pikërisht Ministri Hekuran Murati dhe zyrtarët aty që i bllokojnë të hyrat vetanake të kryeqytetit e që janë 35 milionë. Po i bllokojnë jashtëligjshëm. I teket Ministrit në detyrë e zyrtarëve që s’kanë çare pa e dëgju që me i blloku fondet e kryeqytetit. Lojë që po zgjatë qe nëntë muaj”, ka thënë Rama në RTV Dukagjini.
Sa i përket situatës me punëtorët e Trafikut Urban, Rama ka thënë se Muratit as që i intereson kjo pjesë.
Tha se i ka bllokuar edhe fonde të tjera, teksa pjesëmarrja e tij në protestën e punëtorëve tha se erdhi me ftesë të tyre.
“I kanë bllokuar edhe fondet e tjera, edhe fondin për investime kapitale e shumë fonde tjera që na kanë pamundësu me i kry punët në kryeqytet, e me na qit neve keq që me i fitu zgjedhjet. Ministrit në detyrë nuk i intereson, pa asnjë emocion sillet ndaj protesuesve. Më ftuan dhe u bashkangjita”.
Ai tha se punëtorët kanë punuar me muaj të tërë pa pagesë, me shpresën se pas zgjedhjeve do të paguhen.
Sa i përket konferencës që mbajti Murati mbrëmë, Rama ka thënë “Si ka fytyrë me gënjy”.



