
Dimal Basha citoi edhe Dick Martyn për “hulumtimin” skandaloz kundër UÇK-së
Kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha në “hulumtimin” kundër UÇK-së që e shkroi si bashkëautor në vitin 2012, kishte cituar edhe Dick Martyn, ish-raportuesin e Këshillit të Evropës që shkroi raportin e vitit 2010 për krimet e pretenduara të luftës dhe trafikimin e organeve.
Në mestitullin “Diasporat” dhe lidhjet kriminale-politike, Basha kishte cituar famëkeqin Marty kur kishte shkruar për shpërbërjen e UÇK-së.
“Pas konfliktit, vetë UÇK-ja ishte shpërbërë zyrtarisht, sidoqoftë, shumë ish-komandantë të saj morën kapela të tjera dhe hyn në politikë. Me politikën erdhi krimi”, shkruajnë Basha dhe bashkëautorja Jana Arsovska në hulumtimin me titull “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transnacional, Islami Fondamental dhe Aleancat e Padrejta”.


Basha në këtë “hulumtim” kishte pretenduar se UÇK-ja kishte rekrutuar ish të burgosur, banditë patriotë e kriminelë. Basha si bashkëautor, kishte shkruar se UÇK-ja ishte financuar nga trafikuesit e drogës që në emër të saj kishin blerë armë.
Ndërkaq, Marty u emërua nga Këshilli i Evropës për të hetuar pretendimet që fillimisht dolën në librin e ish-prokurores së Hagës, Carla Del Ponte, ku përmendej trafikim organesh nga grupet e lidhura me UÇK-në.
Në raportin e tij, ai kishte përmendur “grupin e Drenicës”, të lidhur me Hashim Thaçin dhe figura të tjera të UÇK-së, duke i akuzuar për rrëmbime, vrasje dhe trafikim organesh të të burgosurve serbë dhe shqiptarë të Kosovës.
Dick Marty ka vdekur në vitin 2023 pas përballjes me sëmundjen e kancerit.