DIMENSIONI I LUFTËS NË VARGJE
Ismail Syla ,,Ëndërr në zarf” Botues ,,Artini” Prishtinë, 2025
Shkruan: Izet Abdyli
Parantezë
Me Ismailin jemi shok gjenerate. Kam pasur fat t’i lexoj poezitë e tij qysh si gjimnazist, në orë letrare, në revistën e shkollës, pastaj në gazetat legale e ilegale. Më ka tërhequr stili i tij i veçantë dhe mesazhet që përçonin poezitë e tij. Burgosja e tij sikur na privoi nga e drejta e leximit të poezive të tij ( mbase ai krijonte edhe prapa grilave). Sidoqoftë paslufta veç lirisë fizike solli edhe lirinë shpirtërore e Ismaili ndezi vullkanin artistik të ndryrë ndër vite duke na sjell vlera të qëndrueshme estetike e letrare.
Dimensioni luftës në vargjet e Ismailit
Lufta e fundit në Kosovë me tërë përmasën e saj tragjike është trajtuar në shumë libra publicistikë, historik, por edhe letrar qoftë në prozë apo poezi. I tillë është edhe libri më i ri i Ismail Sylës ,,Ëndërr në zarf” me botues ,,Artini” Prishtinë, 2025. Ndonëse i strukturuar në katër cikle, e tërë materia e librit ngjizet tematikisht me një emrues të përbashkët luftën dhe pasojat e saj. Poeti dimensionin e luftës e shpalos në vargje, të shpërndara në copëra kujtimesh. Në fakt ky libër është një dramë shumaktëshe. Aktet e dhimbjes, vuajtjes, dhunës shfaqen e rishfaqen në çdo poezi.
Poetit i mjafton një bunar, thasë rrobash, një rrip, një letër, një shall, një kasolle, një lodër fëmije për të stisur pastaj në vargje katrahurën njerëzore nga soji i atyre të sëmurëve nga etja për të marr jetë. Ndonëse kriminelet gjithmonë orvaten të fshehin gjurmët e krimit, është mendimi krijues që në ndërdijen e poetit i ruan në formë kujtimesh për t’ i rishfaq pastaj si perla dhimbje, vuajtjeje por edhe akuze. Objekti i bunarit i mjafton poetit për të shpërfaqur tërë dramën njerëzore të 53 viktimave të masakrës së Poklekut të Vjetër të Drenasit. Edhe ,,Kova” me simboliken e saj na shpërfaq ,,Historinë në katër akte” siç e ka emërtu vetë poeti, ku përmes katër poezive, para, gjatë dhe duke përfunduar pas lufte në muze si relikt që më heshtjen e saj ruan kujtimet e trishta të luftës. Në ciklin e tretë ,,Nën thundrën e krimit” poeti ka zgjedhur monologun si model në kërkim të /gjurmëve në prag/zarfit pa adresë/ dhomën që nuk lëshon frymë/ .
Tek nëncikli ,,Plagë lufte” si një prelud na shfaqet qëndresa e nënës pas humbjes së djalit, burrit, vëllai etj. Dhe kjo dramë vazhdon edhe /kur nuk thirret emri/furra që nuk ndizet më/hija shtëpisë/dhoma pa dritare/ në përpjekje e saja për të ruajtur gjurmët të mos degdisën drejt harrimit. Nëncikli ,,Të vetmuarit” ndryhen kujtimet në heshtje të burrit, gruas, fëmisë, gjyshit, binjakut, motrës, shokut, vëllait, që me heshtje flasin. Te nëncikli ,,Të braktisurat” përmes gjësendeve si topi, lugët, tava, ora, dritarja, kamishi, fletorja me germa, shtrati, poeti ka arritur të zbërthej fatin e individëve brenda kaosit me emrin luftë. Edhe nëncikli i pestë ,,Pa frymë njeriu” dhe nëncikli ,,Artefakte dhimbjesh ” ruan të njëjtin nivel të nëncikleve paraprake ku sërish përmes gjësendeve të ndryshme poeti ndërton situata e portretizon fate njerëzish. Në ciklin e tretë ,,Duart që bien erë dhe” me poezi përkushtimi për kryefamiljarin Imer Deliu dhe të vrarët në masakrën e Deliajve të Abrisë së Epërme, si një epilog përmbyll dimensionin e sagës së luftës të shpërfaqur brenda kopërtinave të këtij libri.
Përfundim
Në përmbyllje të kësaj mbrese leximi, duke qenë bashkohanikë dhe lexues i krijimtarisë letrare të Ismail Sylës, i jap të drejt vetës të nxjerr konstatimin se kjo është kryevepra e tij letrare. Megjithatë kjo profeci e imja uroj të mos dalë e saktë meqë poeti është në kulmin e veprimtarisë së tij krijues dhe mund të na befasojë edhe me ndonjë vepër tjetër që tejkalon përmasat e kësaj përmbledhje poetike.



