
Diplomacia evropiane me armët e amerikanëve!
Edvin Kulluri
“Trumpi u poshtërua nga Putini”, “Putini fiton në Alaskë”, “ushtarët amerikanë gjunjëzohen para Putinit”, “gjuha e trupit tregoi superioritetin e Putin” etj. Këto ishin pak a shumë disa tituj të gazetave të majta në Evropë e diçka më pak mes atyre në ShBA pas takimit të presidentëve të ShBA-së dhe Rusisë në Alaskë.
Takimi nga i cili shumë prisnin armëpushim të menjëhershëm, disa marrëveshje përfundimtare mes Ukrainës dhe Rusisë me ndërmjetësimin amerikan, për momentin thjesht i ka dhënë një shans paqes. Ndërsa të tjerë që mezi prisnin dështimin e tryezës edhe si kundërshtarë të Trumpit edhe si triumfatorë mbi Rusinë, nuk morën as njërën e as tjetrën, por vetëm shtyrjen në kohë të përfundimit të bisedimeve.
Në fakt tabloja pas takimit nuk kënaqi asnjërën palë. As ata që prisnin marrëveshje e as ata që duan që lufta të vazhdojë deri në fitoren përfundimtare mbi Rusinë.
E, për këtë ka disa arsye që më shumë e kanë origjinën te kritikët e takimit sesa te palët në takim. Një pjesë e Evropës dhe kundërshtarët e përhershëm ideologjikë të Trumpit nuk e kanë ende të qartë nëse kundërshtari është Trumpi apo Putini. Bile, më keq akoma, i barazvlerësojnë deri në marrëzi. Zelli i së majtës kundër presidentit amerikan që i ka rrënjët që në fitoren e tij në mandatin e parë, pra në 2016, jo vetëm që nuk është shuar, por edhe është rritur.
Pavarësisht se këtë herë nuk po “djegin” rrugët e Amerikës me lëvizjen “woke”, në nivel retorike jemi në të njëjtën pikë. I vetmi që e ka kuptuar që politika nuk funksionon kështu është Rama, që nga e folura si “e ema e Zeqos në majë të thanës” në CNN, tashmë përpiqet të qerasë Kushnerin me Sazanin! Por, Rama s’ka asnjë peshë në politikën ndërkombëtare, ndaj ata që kanë vërtet rëndësi në kampin e majtë apo liberal, duke vazhduar të njëjtën qasje, më shumë ngatërrojnë punë sesa zgjidhin. Derisa të përcaktojnë se kush është kundërshtari, janë të dënuar të mbjellin konfuzion.
Por, le të marrim në analizë kundërshtitë që mbart pas-takimi i Enkorixh. Së pari, akterët të sipërpërmendur agresivë harrojnë, me dashje, se gjatë presidencës Biden, Perëndimi as nuk e mposhti dot Rusinë në Ukrainë, as arritën të rifitojnë një pjesë të territoreve të pushtuara, përveçse harxhuan qindra miliarda dollarë për një luftë të tipit “tërhiq e mos e këput”, por që ndërkohë ka marrë miliona jetë njerëzish nga të dyja palët, e shkaktuar miliarda euro dëme në të gjitha krahët.
Por, çuditërisht për liberalët që kanë në qendër të ekzistencës së tyre “njeriun”, vlera e jetës nuk përbën më ndonjë problem të madh. Përndryshe, do shfaqnin më pak pasion dhe më shumë qetësi. Sepse, sipas tyre, nëse Rusia nuk ndalet tani, oreksi i saj do rritet. Çështja është se rusët e mendojnë njësoj kërcënues zgjerimin e NATO-s në Ukrainë, ndaj morën vendimin për të pushtuar territoret lindore e mbi të gjitha Krimenë, një mollë sherri shekullore për sigurinë në Detin e Zi. Kjo është po aq e vërtetë sa edhe fakti që Rusia nuk ka fuqi të nisë një luftë diku tjetër, për sa kohë nuk po fiton dot atë të nisur e pa bitisur në Ukrainë.
Trumpi i njeh dhe pranon të dyja këto pandehma, edhe pamundësinë e Rusisë për të zgjeruar agresionin në vende të tjera, edhe këmbënguljen e saj për ta mbajtur Ukrainën jashtë NATO-s si kërcënim për sigurinë e saj. E, ndërkohë, interesat ruse në Siri dhe Armeni janë goditur keq, ç’ka e shfryn mitin e “imperializmit rus”. Ndaj, frika ndaj rrezikut rus përtej Ukrainës përbën më shumë një paranojë sesa një kërcënim real, njësoj si rusët që e shohin NATO-n si kërcënim, por që në fakt më shumë është psikozë historike sesa një realitet konkret.
Por, kundërshtarët nuk i vizaton dot, duhen marrë siç janë e të punosh me ta aq sa mundesh.
E, pra, çështja mbetet se ku do gjendet “mesi i artë”, ç’ka në një konflikt përfaqëson negociatat. Negociatat janë arti i marrëveshjes ku të dy palët duhet të lëshojnë diçka për të marrë. Putini nuk ka ndërmend të lëshojë Krimenë dhe edhe një pjesë tjetër të territoreve të fituara në luftë, përndryshe del i humbur. Këtë llogari e ka bërë para ndërhyrjes, e situata në terren nuk ka pse ta bëjë që të ndryshojë mendje.
Ushtria ukrainase përmes rezistencës së saj dhe mbështetjes së Perëndimit, mund ta mbajë konfliktin pa një fitues e humbës, por ndërkohë disavantazhi ekonomik, numrave në nivel njerëzor në rekrutim, dhe industrisë ushtarake inferiore nuk janë të dhëna inkurajuese. Çka nëse nuk e japin humbëse sot, mund ta çojnë drejt disfatës nesër. Kjo do të thotë humbje totale e sovranitetit. E, 80 për qind e Ukrainës nuk ka pse bie nën Rusi për shkak të 20 përqindëshit të pushtuar e populluar nga shumicë ruse.
Në anën tjetër, sipas Wall Street Journal-it, skenari korean i ndarjes me garanci të forta ushtarake është një opsion që po diskutohet fort.
Ajo çfarë do të prodhojnë bisedimet e këtyre ditëve, nuk e bëjnë takimin e Alaskës dështim për Trump e fitore për Putin! Dhe, askush për rrjedhojë nuk ka pse hap shampanjën për vazhdimin e luftës. Ai takim thjesht i hapi rrugën bisedimeve pas tre vitesh ku është folur veçse me krismat e armëve e shkaktuar një tërmet gjeopolitik global.
Ndaj fillimi i diskutimeve nuk i sjell asnjë të keqe askujt, përveç atyre që duan një Trump të mposhtur pavarësisht viktimave që ky konflikt prodhon çdo ditë. Natyrisht që edhe radikalët ultra-nacionalistë rusë do të ishin të lumtur të vazhdonin luftën me qëllim lodhjen e Ukrainës deri në dorëzimin e saj. Por, të dy palët harrojnë një gjë: lufta nuk është bixhoz ku “paratë”, pra jetën humbin ata që luftojnë e jo ata që prodhojnë fitore virtuale nga divani! Disa ëndrra mirë është të mbeten në sirtar! Qoftë liberale, qoftë ultranacionaliste!
Rusët duhet të kuptojnë që nuk ringjallen dot si ish-Bashkimi Sovjetik me një Prodhim Kombëtar Bruto të përafërt me ekonomitë angleze, franceze apo italiane të marra veçmas. Ashtu siç falkonët evropianë, kryesisht Macroni e Starmeri nuk duhet të harrojnë se luftë me fuqinë e ShBA-së pas krahëve mund të bëjë vetëm ShBA-ja! Askush tjetër për sa kohë këto të fundit duan paqe!