
Diplomat e blera prodhuan politikanë të shitur dhe dëshmitarë të rremë në Hagë
Shkruan: Astrit Gashi
Sot në Hagë nuk po gjykohet një individ. Nuk po gjykohet as vetëm një kapitull i pasluftës. Në atë sallë të ftohtë të drejtësisë selektive, po vendoset fati moral dhe historik i vetë luftës çlirimtare të Kosovës. Themelit i shtetit tonë po sfidohet jo me argumente ligjore, por me narrativën e shpifjes dhe me heshtjen e planifikuar të klasës politike. Dhe ajo që e bën këtë realitet edhe më tragjik është fakti se dëshmitarët më të zellshëm të këtij procesi nuk janë përfaqësues të drejtësisë ndërkombëtare, por figura të përdorura, të ricikluara, dhe, fatkeqësisht, disa shqiptarë që kanë zgjedhur ta baltosin luftën për ta shpëtuar veten.
Këta nuk janë dëshmitarë të së drejtës janë dëshmitarë të poshtërsisë. Nuk e kanë ndier erën e barutit, por kanë ndezur gjithmonë tymnajën e shpifjes. Janë pjesë e një klase që luftën nuk e njohu si ideal, por si kartë për pazare. Për ta, liria nuk është përkushtim, por përfitim. E gjithë skema e “dëshmive” është kultivuar nëpër zyrat e EULEX-it dhe UNMIK-ut, në aleancë me gojë të shitura nga njerëz që nga lavdërues të komandantëve, janë shndërruar në përçues të shpifjeve, për ndonjë pasaportë diplomatike, për ndonjë vend pune në ndonjë ambasadë të vogël, apo për të shpëtuar ndonjë aktakuzë personale.
Për të kuptuar thellësinë e kësaj katandisjeje, duhet të shikojmë më poshtë se sipërfaqja e sallave të Hagës. Duhet të hedhim vështrimin te ajo që kemi lejuar të ndërtohet me vetëdije këto dy dekada një sistem arsimor të rrënuar, të ndotur me diploma të blera dhe tituj të falsifikuar. Universitetet private u kthyen në fabrika të padijes, që prodhuan një elitë të re politike dhe institucionale pa dijeni, pa moral dhe pa ndjenjë kombëtare. Dhe këta janë sot politikanët që përfaqësojnë Kosovën jo për ta mbrojtur atë, por për të ruajtur interesat e tyre dhe urdhrat e ambasadorëve të radhës. E në krye të kësaj piramide absurde, qëndrojnë diplomat false, që i kanë dhënë legjitimitet moral atyre që nuk do duhej t’u besohej as një fletë e bardhë, e jo më drejtimi i institucioneve.
Nuk është rastësi që Kuvendi i Kosovës ka dështuar 22 herë për t’u konstituuar. Ky nuk është një problem teknik. Është pasqyrë e një shteti që po rrëshqet drejt dështimit funksional dhe moral. Dhe nuk përjashtohet që kjo është një agjendë e heshtur ndërkombëtare një Kosovë pa institucion përfaqësues është një Kosovë pa zë kundër Hagës, pa zë për të mbrojtur çlirimin dhe pa mburojë ndaj rishkrimit të historisë sipas ambicieve serbe dhe skenarëve rusë. Asgjë nuk është e rastësishme. Gjykata u ideua në Këshillin e Europës nga zëra të infiltruar nga Moska dhe u pranua pa rezistencë nga elita jonë politike. Madje, disa prej tyre sot janë në pushtet dhe po e përdorin këtë gjykatë për të eliminuar trashëgiminë e UÇK-së që nuk iu bind kurrë kolonizimit të ri.
Nuk mund të heshtim, kur shumë nga ata që ulen sot në institucionet tona nuk janë aty përmes votës së lirë, por përmes marrëveshjeve të fshehta, ndërhyrjeve të ambasadave dhe pazareve të turpshme me lista. Kjo nuk është demokraci është një formë e butë e pushtimit. Një pushtim që nuk vjen më me tanke, por me trupa të pajetë politikë, me intelektualë të frikësuar, me media të kontrolluara dhe me dëshmitarë të rremë që kanë diplomë të blerë dhe ndërgjegje të shitur.
Në këtë realitet, nuk ka më vend për neutralitet moral. Duhet të reagojmë. Jo thjesht me protesta rrugësh, por me një kryengritje të ndërgjegjes kombëtare. Duhet të demaskohen dëshmitarët e rremë, të dëbohen nga institucionet ata që në vend se të mbrojnë luftën e përdhosin atë, dhe të ndëshkohen ata që ndërtuan këtë sistem ku diploma blihet, patriotizmi falsifikohet dhe e vërteta burgoset. Sepse pa këtë reagim, Kosova nuk do të jetë më shtet, por një iluzion i pushtuar nga brenda një hapësirë ku shqiptarët nuk kanë më zë, e ku e kaluara e tyre e lavdishme trajtohet si krim.
Le ta kujtojmë të gjithë së UÇK-ja nuk ishte organizatë kriminale. Ishte ushtria e një populli të shtypur. Dhe ata që sot flasin kundër saj, nuk janë të lirë janë të blerë. Disa janë bashkëpunëtorë të vjetër të pushtuesit. Disa të tjerë janë shërbëtorë të rinj të padijes. Por që të dy janë të rrezikshëm për të ardhmen.
Në Hagë, nuk janë duke u gjykuar individë. Aty po gjykohet drejtoria politike e çlirimit të Kosovës ajo që është më meritorja për lirinë tonë kolektive. Dhe nëse kjo drejtori dënohet, nuk dënohen vetëm disa emra. Dënohet vetë e drejta jonë për të ekzistuar si popull i lirë, me histori dhe me nder. Nëse heshtim sot, nesër nuk do të na mbetet as e drejta për të kujtuar kush ishim.