Diplomatja gjermane zbarkon në Luginë, diskuton për gjendjen e shqiptarëve
Ambasadoren e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, ka shkuar sot për vizitë në Luginë të Preshevës. Në ambientet e Këshillit Kombëtar Shqiptar ajo u prit nga kreu i këtij këshilli, Enkel Rexhepi, me të cilin kanë folur mbi gjenjden e shqiptarëve atje.
Lajmi për këtë vizitë u bë i ditur nga Rexhepi me anë të një postimi në ‘Facebook’.
“Sot në ambientet e Këshillit Kombëtar Shqiptar mirëpritëm Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Beograd, znj. Anke Konrad, me të cilën zhvilluam një takim të gjatë mbi gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Diskutuam hapur për diskriminimin e vazhdueshëm shtetëror, me theks të veçantë në fushën e arsimit, ku mungesa e teksteve mësimore në gjuhën shqipe dhe mosnjohja e diplomave nga Kosova vazhdojnë të jenë pengesat më serioze për të rinjtë shqiptarë”.
“Theksuam rëndësinë që Plani 7 Pikësh të zbatohet si dokument bazë për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Luginë. Po ashtu, ngritëm shqetësimin për procesin e pasivizimit të adresave, mungesën e përfaqësimit të drejtë në institucionet publike dhe diskriminimin në ndarjen e fondeve për kulturë e media, ku shpesh anashkalohen iniciativat që punojnë në gjuhën shqipe”
“Në këtë kontekst, nënvizuam se mbështetja e Gjermanisë dhe faktorit ndërkombëtar është thelbësore për të siguruar zbatim real të marrëveshjeve dhe ndalimin e praktikave diskriminuese. Këshilli Kombëtar Shqiptar do të vazhdojë të jetë zëri institucional i shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, shkruan ai.



