
Diplomohet gjenerata e parë në profilin Floktari në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë
Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së parë, në profilin Floktari në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë e arsimit dual si një nga prioritetet kyçe të Qeverisë së Kosovës dhe si një ndër projektet më domethënëse për të ardhmen e të rinjve dhe të ekonomisë së vendit.
Ai vlerësoi rolin e Qendrës së Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila ishte ndër të parat që zbatoi modelin dual dhe sot ofron arsim profesional në tri profile me rreth 220 nxënës, duke e cilësuar këtë si një sukses institucional dhe një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi arsimor që krijon mundësi reale për të rinjtë.
Ministrja Nagavci rikujtoi se arsimi dual në Kosovë nisi zyrtarisht në shtator të vitit 2022 si pjesë e iniciativave strategjike të Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e të rinjve dhe për përshtatjen e arsimit me kërkesat e tregut të punës.
Ajo potencoi se modeli është tashmë i pranishëm në 25 shkolla në 15 komuna të vendit, dhe përfshin mbi 1,600 nxënës, dëshmi kjo e suksesit të bashkëpunimit institucional dhe interesimit të shtuar për arsimin profesional.