Diplomon gjenerata e 62-të e policisë

11 korrik 2025 | 14:05

Të premten është mbajtur ceremonia e ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 62-të të kadetëve të Policisë së Kosovës. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë  zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimië.

Në adresimin e tij, ai ka thënë se për 26 vjet me radhë që nga krijimi, Policia e Kosovës shërben me përkushtim e integritet. “Ky institucion po forcohet e radhët e saj po shtohen çdo herë e më shumë. 62 gjenerata të diplomuara përfshirë këtë të sotmen, të cilat udhëhiqen nga profesionalizmi, në mbrojtje të Republikës, ligjeve e Kushtetutës së vendit, sovranitetit e integritetit territorial. Të jesh pjesë e Policisë së Kosovës është nder dhe përgjegjësi e lartë. Kjo uniformë dhe ky institucion është më shumë sesa zbatuese e ligjit, por edhe përfaqësuese e vlerave të disiplinës ndaj punës, integritetit dhe atdhedashurisë, ka thënë Bislimi.

Ai ka theksuar se kadetët e policisë i përbashkon misioni e qëllimet e njëjta, ndërsa në realizimin e tyre do ta kenë përherë qeverinë përkrah. “Përgjatë mandatit e kemi rritur mbi 50 për qind buxhetin për Policinë e Kosovës në krahasim me vitin 2021: nga rreth 90 milionë, në tash më shumë se 150 milionë. Kemi investuar edhe në pajisje policore logjistike e automjete si dhe ngritur e rregulluar stacione të Policisë përfshirë edhe në veriun e vendit. Mbështetjen institucionale të munguar, e kemi kthyer në vëmendje të merituar ndaj Policisë dhe përkrahje të domosdoshme e të parezervë”, ka thënë Bislimi, duke shtuar se

besimi i lartë i qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës sjell edhe më shumë përgjegjësi e obligim për secilin prej tyre. “Andaj prej jush kërkohet që të jeni vazhdimisht syçelë, të disiplinuar dhe të përkushtuar në kryerjen e detyrave me të cilat do të ngarkoheni tash e tutje. Përpjekjet dhe fushatat për të cenuar integritetin, profesionalizmin dhe imazhin e Policisë së Kosovës bazuar në raste të izoluara, tregojnë për qëllime në dëm të interesave të Republikës së Kosovës e kërcënim ndaj institucioneve të saj të respektuara si Policia”, ka thënë Bislimi.

Në përfundim të fjalës së tij, ai ka thënë se “ndershmëria, përgjegjësia, integriteti profesional e personal, le ta udhëheqin rrugëtimin tuaj për sa kohë do ta mbani të veshur këtë uniformë, duke u frymëzuar edhe në jetën e kontributin e heronjve të Policisë së Kosovës si Enver Zymberi, Afrim Bunjaku dhe të gjithë të rënëve në krye të detyrës”.

Ndërsa ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo gjenerata e re e Policisë së Kosovës është mbështetja e vizionit tonë të përbashkët për një polici profesionale që garanton rend e ligj, që respekton e mbron qytetarët tanë dhe që me integritet e disiplinë mbron besimin e qytetarëve të ndërtuar ndër vite për policinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një reagim ndaj postimit të presidentit serb për përkujtimin…