
Disa vende evropiane rivendosin masat e izolimit
Franca dhe Polonia kanë rivendosur masat e izolimit të pjesshëm, ndërsa Gjermania ka paralajmëruar se do të veprojë njëjtë, pas një rritjeje të numrit të të infektuarve me koronavirus.
Masat e reja franceze kanë prekur rreth 21 milionë njerëz në 16 rajone, përfshirë kryeqytetin Paris.
Autoritetet kanë frikë nga një valë e tretë e të infektuarve me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen Covid19. Izolimi i pjesshëm hyri në fuqi në mesnatën e së premtes (19 mars).
Masat e reja parashohin kufizime në trafik, mbylljen e bizneseve jo thelbësore, por shkollat mbeten të hapura, së bashku me parukierët nëse ndjekin një “protokoll të veçantë të higjienës”.
Franca ka raportuar më shumë se 4.2 milionë të infektuar që nga fillimi i pandemisë dhe gati 92.000 vdekje të lidhura me sëmundjen Covid-19, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.
Në Poloni, dyqanet jo-thelbësore, hotelet, objektet kulturore dhe sportive do të mbyllen për tre javë. Ky vend ka shkallën më të lartë të të infektuarve në baza ditore që nga nëntori. Polonia ka shënuar më shumë se dy milionë të infektuar dhe gati 49.000 vdekje, sipas Johns Hopkins.
Rastet me koronavirus po shënojnë rritje edhe në Gjermani. Kancelarja, Angela Merkel, ka paralajmëruar se ka të ngjarë që vendi do të duhet tani të zbatojë masat e një “frenimi emergjent”, raporton Rel.
Gjermania tha të premten se e ka klasifikuar Poloninë fqinje si vend me rrezik të lartë. Kjo do të thotë se që nga e diela kushdo që kalon kufirin nga Polonia duhet të ketë një test negativ të koronavirusit.