Disbalanca mes orekseve elektorale dhe qeverisjes së dobët

29 maj 2025 | 15:45

Në një analizë politike, ish-deputetja Besa Ismaili ka ngritur shqetësime serioze lidhur me sjelljen politike të kryeministrit Albin Kurti dhe partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas saj, Kurti ka një oreks elektoral të pangopshëm, i cili është në disbalancë të thellë me performancën e qeverisë.

Duke komentuar mbi narrativat për “shtrirje sovraniteti në veri”, ajo thekson se këto narrativa janë përdorur për konsum politik të brendshëm, por që nuk kanë rezultuar me ndonjë sukses real.

“Një parti që ka përdorë narrativa të mëdha sikur të ishin të vërteta, nuk do të pësonte rënie prej 10 deputetësh. Qytetarët nuk mund të gënjehen pafundësisht,” ka thënë ajo në debatin televiziv Compass ATV.

Në mënyrë të veçantë, Ismaili ndalet edhe te figurat e kontestuara brenda LV-së, propozimi si Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit.

Sipas saj, Haxhiu ka “precedentë abnormal” të sjelljes politike, përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend, sulmet ndaj opozitës, mediave dhe sistemit të drejtësisë. “Në një parti të shëndoshë, personalitete të tilla nuk do të gjenin vend, lëre më të propozoheshin për kryetare të Kuvendit,” nënvizon ajo.

Duke komentuar përpjekjet për të instaluar votimin e fshehur në procesin zgjedhor për Kryesinë e Kuvendit, Ismaili cilëson se këto kanë manovra që zgjasin bllokimin e Kuvendit, dhe se sikur të ndodhte “LV nuk do t’i sigurojë as votat e veta”.

Ajo e sheh si të pamundur mbështetjen nga PDK-ja apo ndonjë parti tjetër.

Ndërsa e adreson çështjen e linçimeve të drejtësisë, Ismaili kritikon qeverinë për mungesë totale të interesimit në proceset ku Kosova është palë në drejtësinë ndërkombëtare në Hagë. Por, sipas saj, kur përballen me drejtësinë vendore eksponentë të LV-së, atëherë “linçohet i gjithë gjyqësori”, çka përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj ndarjes së pushteteve. “Ata nuk e njohin kulturën politike të ndarjes së pushteteve – duan zhvleftësim të institucioneve dhe anarki,” shton ajo.

Deklaratat e ish-deputetes Ismaili pasqyrojnë një kritikë të fortë ndaj mënyrës sesi është menaxhuar pushteti në Kosovë nga LV dhe sjellja e saj aktuale bllokuese në Kuvend.

“Ku mund të bllokojnë, ata e bllokojnë. E kanë bërë gjatë tërë kohës në legjislaturën e kaluar kur kanë bllokuar iniciativa, rezoluta, komisione hetimore, etj. bllokojnë edhe sot, dhe kanë tendenca për ndërhyrje në pushtete të ndara. Po të mundnin do të bllokonin edhe proceset e prokurorisë, gjyqësorin, etj.” – komentoi ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gian Piero Gasperini është trajneri i ri i Romës dhe…