Diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve, Kamberi në Kuvendin e Serbisë prezanton kërkesat e Luginës
Deputeti Shaip Kamberi gjatë një debati për buxhetin në Kuvendin e Serbisë foli për problemet që kanë qytetarët në Luginën e Preshevës, si pasivizimi i adresave, diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve, moszbatimi i ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve, etj.
Kamberi përmes një postimi në rrjetin social në “Facebook” ka bërë me dije se e ka pyetur Ministrinë e Brendshme pse nuk i ka kthyer përgjigje në kërkesën e tij që komuna e Preshevës të marrë targën e saj të regjistrimit për automjetet motorike.
Gjithashtu Kamberi pyeti Qeverinë pse janë bllokuar paratë për Këshillin Kombëtar Shqiptar nga fondet e Qeverisë së Kosovës, si dhe çfarë po ndodh me iniciativën për një program për pranimin e personave nga pakicat kombëtare shqiptare dhe boshnjake në shërbimin policor në nivel lokal.
Edhe në seancën e kaluar, deputeti shqiptari foli me tone të ashpra në parlamentin serb. “E dimë se ekziston diskriminim institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. E dimë se ekziston praktika e pasivizimit të adresave, përmes së cilës mijëra njerëzve u hiqet e drejta zgjedhore dhe qytetare”, nënvizoi Kamberi.



