Diskutohet për draftin fillestar të Projektligjit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë
Ka filluar punëtoria dyditore lidhur me diskutimin e draftit fillestar të Projektligjit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.
Me këtë rast, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë se ky projektligj i cili do të përmbajë dispozita materiale dhe procedurale ka për funksion kryesor kthimin e pasurisë së marrë në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas tij, pasuria e cila i është marrë qytetarëve pa bazë ligjore, do t’iu kthehet qytetarëve si pronarë kushtetues dhe ligjor i kësaj pasurie në mënyrë që të mbrohet dhe realizohet interesi i përgjithshëm publik.
Drafti fillestar i Projektligjit përcakton organet kompetente për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, mënyrën dhe procedurën e verifikimit të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme të subjekteve ndaj të cilëve do të bëhet verifikimi dhe konfiskimi, bazuar në standarde kushtetuese dhe ndërkombëtare.



