
Distria mbetet pa medalje në Baku
Distria Krasniqi nuk ka arritur të fitojë medalje në Grand Slam “Baku 2021”. Pas medaljes së artës që e fitoi në Olimpiadën e Tokios, xhudistja e Kosovës shihej si favorite në këtë garë, por nuk ia doli të buzëqeshte prapë.
Ajo e humbi përballjen kryesore për medalje të bronztë, në garën që po mbahet në Azerbajxhan. Xhudistja e Kosovës e humbi luftën për medalje të bronztë përmes repesazhit pasi u mposht me Ippon nga rusja Anastasia Polikarpova.
Dominimi në këtë luftë ishte i pamjaftueshëm për “Disin” dhe asaj i kushtoi një pakujdesi në “golden-score”. Paraprakisht, “Disi” në rrethin e parë e mposhti me Wazzaari japonezen Nanako Tsubone. E në atë të dytë fatkeqësisht u mposht me Ippon nga hungarezja Pupp Reka.
Krasniqi më pas e mundi me Ippon belgen Amber Ryheul në meçin e parë të repesazhit para se ta humbiste meçin kryesor për medalje.