Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, AGK-ja: Gazetarët vazhdojnë të mbesin target i sulmeve nga qeveria dhe LV-ja
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka vlerësuar se gazetarët në vendin tonë vazhdojnë të mbesin target i sulmeve.
Sipas AGK-së, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me sfida të shumta gjatë kryerjes së punës së tyre.
Sipas AGK-së, sfidë kryesore mbetet fushata e pandalshme e Qeverisë së Kosovës dhe partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, në përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve.
“Gazetarët dhe mediat mbesin cak i sulmeve nëpërmjet fjalorit denigrues që ka për qëllim uljen e besimit të publikut në raportimin e tyre”, është thënë në deklaratën e AGK-së.
Më tutje, AGK-ja i ka bërë thirrje qeverisë në detyrë, Vetëvendosjes dhe gjithë akterëve politikë që të respektojnë dhe të mos e pengojnë punën e gazetarëve, si faktor kyç në zhvillimin demokratik të vendit.
AGK-ja ka shprehur shqetësim që shumica parlamentare, në një procedurë të shpejtë dhe të komprometuar, ka zgjedhur anëtarët e bordeve të RTK-së dhe KPM-së, që ka rezultuar, siç thonë ata, në tendencë të hapur për kontrollimin politik dhe partiak të të dyja institucioneve.
“AGK-ja vëren përmirësimin në renditjen e Kosovës në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij këtë vit, i cili ka ndodhur për shkak të vendimit meritor të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur antikushtetues Ligjin për KPM-në, të miratuar në Kuvend nga Vetëvendosje. Nëpërmjet këtij vendimi dhe të tjerëve, sistemi gjyqësor mbetet garantuesi më i rëndësishëm i lirisë së medias në Kosovë. Kjo reflektohet edhe në miratimin e Strategjisë së KGjK-së që do t’u japë prioritet rasteve të gazetarëve. AGK-ja bën thirrje për politika më të ashpra ndëshkimore në rastet kur gazetarët janë viktima të sulmeve”, është thënë në deklaratën e AGK-së.
AGK-ja ka theksuar se vazhdon të mbetet e përkushtuar për sigurinë e gazetarëve, duke i dokumentuar dhe denoncuar ato e duke punuar me organet e sigurisë e drejtësisë për zgjidhjen e rasteve.



