Dita Botërore e Ujit: Gratë fermere në qendër të diskutimit mbi menaxhimin e ujërave në Kosovë
Me rastin e Ditës Botërore të Ujit 2026, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ambasada e Zvicrës, përmes Programit IWRM-K, shënuan këtë ditë të rëndësishme duke mbledhur përfaqësuese institucionale, gra fermere dhe OJQ, në një dialog dinamik dhe frymëzues nën temën globale: “Aty ku rrjedh uji, rritet barazia.”
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të temës globale të OKB-së për vitin 2026, e cila vendosi gratë dhe vajzat në qendër të diskutimit global mbi menaxhimin e qëndrueshëm të ujit, duke i dhënë zë sfidave konkrete me të cilat përballen çdo ditë gratë fermere në Kosovë. Ngjarja mblodhi përfaqësuese nga institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile, akademia dhe gratë fermere nga e gjithë Kosova, për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në sigurimin e qasjes së barabartë në resurset ujore.
Në fjalën hyrëse, Znj. Fitore Pacolli Dalipi, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nënvizoi se qasja e drejtë dhe e barabartë në ujë nuk është vetëm nevojë njerëzore, por edhe çështje drejtësie sociale dhe zhvillimi të qëndrueshëm. Ajo theksoi se se kur gratë dhe vajzat përfshihen në vendimmarrje dhe në praktikat e përditshme të menaxhimit të ujit, ato jo vetëm ruajnë resurset natyrore, por kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të familjeve dhe komuniteteve. Ministrja rikujtoi angazhimin e Kosovës ndaj Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 6: siguria e ujit dhe trajtimi i ujërave të ndotura për të gjithë deri në vitin 2030, dhe bëri thirrje për politika dhe praktika që fuqizojnë gratë si aktorë kyç në menaxhimin e ujit.
Nga perspektiva ndërkombëtare dhe njëkohësisht donator i Programit IWRM-K, znj. Beate K. Elsasser, Shefe e Bashkëpunimit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme për iniciativa që lidhin menaxhimin e qëndrueshëm të ujit me barazinë gjinore dhe zhvillimin rural. “Uji nuk është vetëm burimi më i çmueshëm natyror – qasja në ujë është e drejtë themelore njerëzore dhe shtylla kyçe e zhvillimit të qëndrueshëm. Zvicra ka qenë partner i përkushtuar në këtë rrugëtim, me angazhim afatgjatë në mbështetjen e menaxhimit të ujit dhe forcimin e institucioneve që ofrojnë shërbime cilësore” – potencoi znj. Elsasser.
Diskutimi solli në qendër përvojat reale të grave fermere dhe aktoreve të sektorit, duke reflektuar mbi lidhjen ndërmjet planifikimit, mbrojtjes së resurseve ujore dhe barazisë gjinore si dhe rëndësinë e koordinimit institucional për një menaxhim më të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Panelistet ndanë shembuj praktikë nga terreni, duke theksuar se mungesa e qasjes së qëndrueshme në ujë mbetet një nga pengesat kryesore për zhvillimin e fermave të drejtuara nga gratë, ndërsa bashkëpunimi, trajnimi dhe shkëmbimi i njohurive janë kyç për përmirësimin e situatës. Nga diskutimi u potencua se për t’u prodhuar një litër qumësht, duhen 3 deri në 4 litra ujë, kurse Kosova përpunon rreth 100.000 tonë qumësht në vit në të gjithë zinxhirin e vlerës. Në fokus të diskutimit ishin sfidat në qasjen në ujë dhe infrastrukturën e ujitjes në zonat rurale, roli i shoqërisë civile në fuqizimin e komuniteteve dhe rritjen e ndërgjegjësimit, si dhe praktikat konkrete në bujqësi dhe bletari, që tregojnë se menaxhimi i qëndrueshëm i ujit ndikon drejtpërdrejt në prodhim, biodiversitet dhe mirëqenie ekonomike.
“Aty ku rrjedh uji, rritet barazia” nuk është vetëm një mesazh simbolik, por një qasje konkrete për zhvillim të qëndrueshëm, fuqizim të grave dhe përmirësim të jetës në komunitetet rurale.
Ngjarja përfundoi me një ekspozitë të fotografit ambientalist Arian Mavriqi si dhe diskutim të hapur dhe rrjetëzim mes pjesëmarrëseve, duke synuar forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, donatorëve dhe komuniteteve për politika dhe praktika më gjithëpërfshirëse në sektorin e ujit.



