
Dita e Çlirimit, Haradinaj: Deçani i trimërisë e sakrificës, sot është ringritur dhe zhvilluar
Sot (e hënë) është shënuar Dita e Çlirimit në Deçan. Në këtë ditë të shënuar, atje prezent ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se sot, “Deçani i trimërisë dhe sakrificës është ringritur e zhvilluar”.
E në këtë ditë, Deçani ka nderuar kolonelin e ushtrisë amerikane, Todd Jacobus, me titullin “Qytetar Nderi”.
Ndër të tjera, Haradinaj ka ndarë medalje për kolonelin Jacobus “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet”, për shërbimin shembullor në forcimin e demokracisë dhe sigurisë në Kosovë.
Po ashtu, janë bërë homazhe tek lapidarët e heronjve dhe dëshmorëve në qendër të Deçanit dhe në Kompleksin Memorial të Zonës Operative të Dukagjinit në Gllogjan.
“Përjetësisht i kujtojmë me respekt të gjithë ata që ranë që ne sot ta gëzojmë lirinë! Falënderues përjetë për miqtë tanë, ShBA-të dhe botën demokratike, që falë vendosmërisë dhe rreshtimit kah e drejta, vulosën njëherë e përgjithmonë lirinë tonë”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.