Dita e Çlirimit të Kosovës, Krasniqi me bashkëpartiakë shkon në Prekaz

12 qershor 2025 | 12:11

Sot, më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit të Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi së bashku me kryetarin e Skenderajt, Fadil Nura dhe bashkëpartiakë, ka vizituar Prekazin.

“Rikthehemi në Prekaz, sepse këtu, para së gjithash, i ka rrënjët liria. Nga këtu nisi zjarri i shpresës që ndriçoi rrugën tonë drejt çlirimit dhe pavarësisë. Në këtë datë të shenjtë të historisë sonë, kujtojmë me nderim të thellë sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të çdo dëshmori që dha jetën për lirinë e këtij vendi. UÇK-ja, më shumë sesa një ushtri, ishte mishërimi i aspiratës shekullore të popullit tonë për liri dhe dinjitet. Sot dhe asnjëherë tjetër, ne nuk harrojmë as miqtë tanë ndërkombëtarë – në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, të cilët qëndruan përkrah nesh në momentet më vendimtare të historisë sonë. Përjetësisht mirënjohës për mbështetjen!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

“Këtë përvjetor, me shpresën e thellë se do të jetë i fundit që e shënojmë pa ta, e urojmë me zemër për çlirimtarët tanë që padrejtësisht po mbahen në Hagë: Presidentin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Kadri Veseli, Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, Deputetin Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre. Lufta e tyre ishte e drejtë dhe e pastër, sepse ishte lufta dhe përpjekja e një populli të tërë, që për shumë breza sakrifikoi për liri. Gëzuar 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Kosovës! Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! Nderim çlirimtarëve!”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të enjten ka diplomuar në mjekësi të përgjithshme vajza e…