Dita e ‘dardanëve’

05 shtator 2025 | 07:17

E premtja është dita e “dardanëve”, pasi Përfaqësuesja A dhe ajo U21 do t’i zhvillojnë ndeshjet e para kualifikuese.

Kosova e drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda ka arritur të enjten në Bazel, ku edhe zhvilloi stërvitjen e fundit para ndeshjes me Zvicrën, e cila zhvillohet sonte në stadiumin “St. Jakob-Park”.

Foda ka thënë se “dardanët në këtë ndeshje hyjnë për një rezultat pozitiv. “Do të hyjmë në këtë sfidë me mendësi pozitive dhe do të shohim se ku do të na çojë ky rrugëtim. Qëllimi ynë është i qartë: për herë të parë të kualifikohemi në një kompeticion të madh”, ka thënë Foda, i cili ka treguar se lojtarët do të motivohen nëpërmjet një video.

Trajneri gjerman i Kosovës e ka pranuar se “dardanët” janë në një grup të vështirë, por synimet janë të mëdha. “Jemi në një grup shumë të vështirë. Zvicra dhe Suedia janë ekipe me shumë cilësi. Edhe Sllovenia, e cila u kualifikua herën e fundit në Evropian, ka një ekip shumë të mirë. Por, pavarësisht prej të gjithave, gjithçka është e mundur. Edhe ne kemi cilësitë dhe mundësitë tona. Vendi i parë kualifikohet direkt, ndërsa ekziston edhe mundësia që përmes ‘play-off’-it të luftojmë për vendin e dytë. Ne luajmë futboll dhe jetojmë për futbollin. Ëndrrat bëhen realitet vetëm kur beson vërtet dhe je i bindur se mund të arrish. Këtë mesazh do t’ua përcjell edhe lojtarëve gjatë javës. E dimë që nuk është grup i lehtë dhe se jemi autsajder, por edhe një autsajder mund të jetë shumë i rrezikshëm. Ne do të japim gjithçka për vendin tonë, për Kosovën, që për herë të parë të kualifikohemi në Kupën e Botës”, ka shtuar Foda.

Ndeshja në mes të Zvicrës dhe Kosovës do të zhvillohet nga ora 20:45, kurse atmosfera do të jetë elektrizuese, pasi janë shitur të gjitha biletat dhe stadiumi do të jetë i stërmbushur.

Krahas Përfaqësueses A, edhe U21-shat sot (e premte) do të përballen me Rumaninë, në ndeshjen e parë të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2027.

Përzgjedhësi Afrim Tovërlani ka thënë se janë të vetëdijshëm për vështirësinë e grupit, ku krahas Rumanisë bëjnë pjesë edhe Spanja dhe përfaqësuese të tjera cilësore, por që ekipi “dardan” do ta japë maksimumin në çdo përballje. “Na presin dy ndeshje të vështira, me Rumaninë dhe Spanjën, por fillimisht jemi të fokusuar te ndeshja e parë. Rumania dhe Spanja janë favorite të grupit, por ne nuk dorëzohemi. Edhe herën e kaluar kemi pasur një grup shumë të vështirë dhe ia kemi dalë me sukses. Kemi gjeneratë të re, me shumë prurje, por besoj se me një kolektiv të shëndoshë mund të arrijmë rezultate pozitive. Gjithsesi, synimi ynë pas 10 ndeshjeve është të arrijmë një kualifikim historik, por gjithçka mbetet ta tregojmë në fushë”, ka deklaruar Tovërlani.

Trajneri i Zvicrës: Nuk ka më ndeshje ‘vëllazërore’

Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, në prag të ndeshjes kundër Kosovës, e cila do të zhvillohet nesër në Bazel, në kuadër të kualifikueseve ka theksuar se kjo përballje nuk duhet parë më si një ndeshje miqësore mes dy vendeve me lidhje të afërta. “Dikur flitej për një duel vëllazëror, një ndeshje miqësore… Por kjo histori ka marrë fund. Nuk do të ketë më të tilla”, u shpreh prerazi ai, duke treguar qartësisht se Zvicra e trajton këtë sfidë me seriozitet të plotë. Yakin është i vetëdijshëm për komunitetin e madh shqiptar në Zvicër dhe pret një atmosferë të zjarrtë në “St. Jakob-Park”. “Besoj se do të kemi një mbështetje të ndarë në mënyrë të barabartë – 50 për qind për ne, 50 për Kosovën apo Shqipërinë”, ka shtuar ai. Sa iu përket objektivave në grup, trajneri zviceran shprehu besimin se ndeshjet në shtëpi do të jenë vendimtare për ecurinë e ekipit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pak kush e di: në prill të vitit 1999, një…