Dita Historike e Shkollës Shqipe

07 mars 2023 | 09:21

Hasan Mujaj

Shtatë Marsi i vitit 1887. Një ditë madhështore. Historike e kombëtare. Arsimore e diturore. Kulturore dhe etikore. Atë ditë zuri e filloi një rrugëtim i ri zhvillimi për gjuhën shqipe, për shqiptarët; një ndriçim i domosdoshëm për ta ruajtur dhe kultivuar më tej identitetin kombëtar, i cili duhej të kalonte nëpër një terren të rrëshqitshëm e me shumë pengesa e kthesa për t’i hapur hullitë e vatrave të diturive.

Zatën përkushtimi i këtillë është shumë më i hershëm dhe rrënjët e tij janë shumë më të thella sesa ato të vitit 1887. Kundruar nga ky vëzhgim, mund të thuhet se gjurmë të shkollës shqipe, sipas ca shënimeve, janë gjetur që nga gjysma e parë e shek. XVII madje edhe më herët.

Duke e ndjekur fillimin e ndërtimit të rrugës historike të shkollës shqipe, studiuesi amerikan Edwin Jacques, në veprën Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, shkruan: “Shkolla e parë e dokumentuar në gjuhën shqipe u hap në Velje – Vele të Mirditës më 1632. “Sipas këtij autori, po në këtë vit, një shkollë shqipe u hap edhe në Kurbin. Ai shkruan edhe për shkollën e Pllanës (një fshat afër lumit Ma) të vitit 1638 dhe për një tjetër në Troshan një vit më pas. (Nga Gazeta Mirdita nr. 1, më 26 tetor 2013)

Edhe Atë Donat Kurti kishte shkruar në revistën Hylli i Dritës për „ të parën shkollë shqipe të hapur më 1638 në Pllanë.“Ai shkroi edhe për shkollën e Blinishtit dhe të Shkodrës. Shkrimtari zulmëmadh Ismail Kadare kishte shkruar: „ … kleri katolik në Shqipëri nuk rreshti së punuari për të mirën e kombit e të gjuhës.“ Edhe pse në thelb këto shkolla qenë të natyrës së fesë katolike shqiptare, sipas të dhënave të sipërshtruara, aty mësohej gjuha shqipe si themel i identitetit kombëtar që është, ruajtja e së cilës dëshmohet edhe nga Kuvendi i Arbënit, i mbajtur në vitin 1703 në të cilin u vërtetua edhe funksioni kombëtar e arsimor i kishës katolike shqiptare.

Ky Kuvend u mbajt sipas urdhrit të Papës shqiptar Papa Klementi XI – Albani. Tekstet e këtij Kuvendi u botuan edhe në gjuhën shqipe në vitin 1706. Ato zgjeruan dhe përforcuan themelin e përdorimit dhe të zhvillimit të gjuhës shqipe, që ishte vënë nga autorët e letërsisë së vjetër shqipe: F. Bardhi, P. Bogdani, P. Budi etj., i cili (themel) e thelloi dhe e shpuri përpara veprimtarinë kombëtare, arsimore e kulturore si dhe qëndresën e pathyeshme shqiptare kundër pretendimeve osmane, që synonin shkombëtarizimin e shqiptarëve.

Përpjekjet për të hapur shkolla në gjuhën shqipe u trupëzuan edhe në Kosovë. Në vitin 1665, nga përkujdesja e Andrea Bogdanit, u hap një shkollë në Janjevë mësues i së cilës ishte prifti Pjetër Mazreku. Një shkollë shqipe u hap edhe në Prizren në vitin 1889. Mësues i saj qe Mati Logoreci.

Në vitin 1861 u hap shkolla françeskane në Shkodër në të cilën mësohej edhe gjuha shqipe si lëndë mësimore. Aty ndoqën mësimet, ndër të tjerë, edhe Faik Konica, vëllezërit Myzafer dhe Arshi Pipa etj.
Shkolla e Voskopojës

Voskopoja, sot një fshat i varfër rreth njëzet km larg Korçës, nga viti 1744, ishte një nga qendrat e zhvilluara shqiptare e zejeve të ndryshme, sidomos e njohur si qendër e madhe tregtare. Ajo kishte rreth tridhjetë mijë banorë, por shquhej edhe si vatër e arsimit dhe e trashëgimisë kulturore. Ajo kishte edhe shkollën e quajtur Akademia e Re. Mësimi në këtë shkollë zhvillohej në gjuhën shqipe dhe greke. Drejtues të parë të saj qenë: Sevast Seontiadhi e më pas Teodor Kavalioti. Kuadri mësimdhënës: Dhanil Haxhiu, Kostë Berati, Teodor Haxhifilipi etj. Akademia e Re kishte bibliotekën e pasur, shtypshkronjën, konviktin e nxënësve dhe kushte të favorshme të veprimtarisë.

Historiani i spikatur Aleks Buda, këtë burim dritëdhënës të arsimit e të kulturës, e quajti: “Djep i Rilindjes Kombëtare; iluminizëm i hershëm” etj. Në Voskopojë rrodhi një veprimtari shumë e rëndësishme për zhvillimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe; u krijua një alfabet i veçantë për shkrimin e saj; aty u shqipëruan Dhiata e Re dhe Dhiata e Vjetër etj. Mirëpo, njëzet e pesë vjet pas veprimtarisë së ndritur arsimore e kulturore, Perandoria Osmane, në vitin 1769, bëri djegien dhe rrënimin e tërësishëm të burimit të arsimit në gjuhën shqipe!

Sikundër mund të shihet, të dhënat flasin se dyqind e pesëdhjetë e pesë vjet përpara shkollës së Korçës, në disa krahina të Shqipërisë veriore, u hapën shkolla në gjuhën shqipe. Në themelin e këtyre shkollave qëndronte ideali i patrandur i priftërinjve mësues për ta ruajtur, për ta mësuar dhe për ta zhvilluar gjuhën shqipe – këtë tipar kombëtar të shpirtit shqiptar. Dhe, vazhdon udhëtimi i gjatë, tejet i gjatë i përforcimit të shkollës shqipe.
Arritja më e madhe në këtë lëvizje lapidare kombëtare u shënua nëntë vjet pas Lidhjes së Prizrenit, më 7 Mars të vitit 1887 kur u hap shkolla shqipe në Korçë, mësues i parë i së cilës qe Pandeli Sotiri. Poeti e filozofi i mirënjohur rilindës- Naim Frashëri, këtë arritje madhështore e hyjnizoi dhe e poetizoi me vargjet:

“Gëzohuni që erdhi kjo ditë
Kaq e mirë e kaq e mbarë,
Na sjell të gjithë mirësitë.”

Nuk munguan as abetaret e para për shkollat shqipe. Njëri nga pararendësit e Rilindjes Kombëtare – Naum Veqilharxhi shkroi abetaren e quajtur Evetari në vitin 1844 , e cila më e zgjeruar, u ribotua një vit më vonë. Kostandin Kristoforidhi, në vitin 1867, botoi dy abetare: njërën gegërisht e tjetrën toskërisht. Rilindësit: Jani Vreto, Sami Frashëri, Pashko Vasa etj. botuan veprën “Alfabetarja e gjuhës shqipe” në vitin 1879 etj.

Interesimi për shkollat shqipe sa vinte e po ngrihej si një nga veprimtaritë më të rëndësishme të Rilindjes Shqiptare. Katër vjet pas shkollës së Korçës, në tetor të vitit 1891, po në këtë qytet, nga përkushtimi i motrave Sevasti e Parasqevi Qiriazi si dhe i vëllait të tyre- Gjerasim Qiriazi dhe me ndihmën e madhe të Naim Frashërit, u hap shkolla shqipe e vashave. Duke e ndjekur këtë mision të lartë drite, disa shkolla u hapën edhe në krahinën e Kolonjës.

Shkolla normale shqipe e Bukureshtit

Kontributi i mërgatës sonë për ta zhvilluar veprimtarinë kombëtare edhe jashtë etnisë shqiptare, ishte i madh. Shumë i madh. Ai u shtri dhe u konkretizua në disa fusha: për të hapur shkolla në gjuhën shqipe; në vitin 1892, në Bukuresht, nga iniciativa e shoqërisë “Drita”, u hap Shkolla Normale edhe në gjuhën shqipe (Scuola Normale Albaneze) në të cilën mësimi zhvillohej shqip dhe rumunisht. Kjo ishte arritje historike. Drejtor i kësaj shkolle ishte veprimtari prominent për hapjen e shkollave shqipe – Nikolla Naço. Në të jepnin mësim edhe profesorë universitarë. Aty ndoqën mësimet, ndër të tjerë, edhe: Dervish Hima, Jashar Erebara, Mihal Grameno, Aleks Stavri Drenova, Lasgush Poradeci, Shahin Kolonja etj., të cilët, siç dihet, u bënë emra të mëdhenj të veprimtarisë kombëtare, letrare dhe publicistike të Rilindjes Shqiptare.

Ndonëse këtë shkollë e kundërshtonin disa autorë të spikatur rilindës si: Jani Vreto, Visar Dodani, Lumo Skëndo ( Mithat Frashëri ) nga mospajtimet që kishin me drejtorin e saj, e vërteta është se shtatëmbëdhjetë vjet përpara Normales së Elbasanit, për të cilën në shumë tekste shkollore thuhet se është shkolla e parë e mesme shqipe, i kishte hapur dyert Normalja e Bukureshtit tek u përgatitën mësuesit shqiptarë.

Veprimtari të pasur kombëtare zhvillonin edhe shoqëritë kulturore si p. sh. Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqipe e njohur edhe me emërtimin Shoqëria e Stambollit e formuar në vitin 1879, e cila hapi degën edhe në Bukuresht me emrin “Drita” e më pas “Diturija”. Për t’i dhënë zë afirmativ lëvizjes shqiptare, mërgata krijoi e botoi edhe gazeta e revista madje edhe në gjuhë të huaja p. sh.: Albania në Bruksel, Kombi dhe Dielli në ShBA, Flamuri i Arbërit në Napoli etj.

Shkolla Normale e Elbasanit

S’ka dyshim se Normalja e Elbasanit, e cila filloi punën më 1 dhjetor të vitit 1909, shënoi një arritje të madhe në fushën e arsimit shqip. Ajo u bë institucioni më ndriçues i arsimit shqip të asaj kohe. Drejtor i parë i saj ishte Luigj Gurakuqi. Në këtë shkollë dhanë mësim studiues e krijues me kredibilitet të lartë shkencor të gjuhës dhe të letërsisë shqipe si p. sh. : Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Luigj Gurakuqi, Simon Shuteriqi, Sotir Peci, Qamil Guranjaku etj. Në të mësonin nxënës visesh të ndryshme shqiptare, një numër i madh i të cilëve ishte nga Kosova, të dërguar në këtë shkollë me iniciativën dhe me përkrahjen e Hasan Prishtinës në përpjekjet e tij të mëdha për të siguruar kuadër mësimdhënës me qëllim që të hapeshin shkolla shqipe edhe në Kosovë. Shkolla botonte edhe gazetën “Normalisti”.

Sado që ishin të mëdha tendencat dhe masat represive të qarqeve antishqiptare për të penguar mësimin në gjuhën shqipe dhe për t ‘ i mbyllur shkollat shqipe, aq më e madhe dhe mbizotëruese ishte gatishmëria e therorizimit për t’u vënë në mbrojtjen e tyre. Vërtet është i gjatë vargu i viktimave të shkollave shqipe, që u flijuan për t’i mbrojtur burimet e diturive p. sh.: Pandeli Sotiri, Pjetër Nin Luarasi, Papa Kristo Negovani, Luigj Gurakuqi, Shtjefën Gjeçovi, Fazli Greiçevci, Haki Pavata, Feriz Blakçori, Halit Geci e qindra të tjerë, të cilët prore do të mbesin ndër shëmbëlltyrat më të ndritura kombëtare. Dhe jo vetëm kaq.

Viktima të shkollës shqipe janë edhe ata veprimtarë të lëvizjes kombëtare shqiptare, që bënë rezistencë kundër mbylljes me dhunë të shkollës shqipe nga policia serbe në fshatin Uçe të Istogut me ç’ rast ranë dëshmorë: Muharrem Hyseni, Hasan Hysenaj dhe Bajram Hoxhaj më 21 janar të vitit 1992.

Gjithë ç’u tha në këtë vështrimth, del e kuptueshme se edhe përpara shkollës së Korçës u hapën disa shkolla shqipe në krahinat veriore të Shqipërisë e gjetkë, të cilat, ndonëse vepronin në rrethana të ndërlikuara të kohës përkatëse dhe të përgjuara e të rrënuara nga pushtimi osman, ato janë pjesë e ndritur e historisë shqiptare dhe pararendëse e nxitje dinamike të zhvillimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Historia nuk duhet të reduktohet. Jo. Ajo duhet të ruhet dhe të kapet e tëra. Edhe emërtimi Dita e Mësuesit sikur i përjashton mësueset. Kjo është e padrejtë, andaj do një riformulim gjithëpërfshirës p. sh.: Dita e arsimit, Dita e shkollës shqipe etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria do të prezantojë potencialet në turizmin e qëndrueshëm, përmes…