Dita Olimpike, Osmani lavdëron sportistët: Flamuri i Kosovës të valojë krenar në skenat e botës

23 qershor 2026 | 13:22

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Dita Olimpike përbën një mundësi të veçantë për të nderuar sportistët dhe punëtorët sportivë që me talentin, përkushtimin dhe sakrificën e tyre kanë nderuar Kosovën dhe kanë lartësuar flamurin e saj në arenën ndërkombëtare.

Me rastin e kësaj dite, Osmani ka vlerësuar kontributin historik të sportistëve kosovarë, duke kujtuar rrugëtimin nga pionierët e sportit deri te kampionët olimpikë të ditëve të sotme.

Përmes një postimi në “Facebook”, ajo theksoi se historia sportive e Kosovës është e shënuar nga emra të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, duke përmendur boksierin Aziz Salihu, fitues i medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike të vitit 1984, si dhe Majlinda Kelmendin, e cila shkroi historinë si kampionia e parë olimpike e Kosovës në Rio 2016.

Osmani ka përmendur gjithashtu sukseset e Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës, të cilat kanë vazhduar të pasurojnë krenarinë olimpike të Kosovës me medaljet e tyre në Lojërat Olimpike.

“Përmes këtyre kampionëve, bota njohu jo vetëm talentin sportiv të Kosovës, por edhe historinë e një populli që me këmbëngulje, dinjitet dhe vullnet të pathyeshëm ka arritur të tejkalojë çdo sfidë. Ata dëshmuan se madhështia nuk matet me përmasat e një vendi, por me zemrën, punën dhe vlerat e njerëzve të tij”, ka theksuar Osmani.

Ish-presidentja ka vlerësuar gjithashtu rolin e Komitetit Olimpik të Kosovës, federatave sportive, trajnerëve dhe të gjithë punëtorëve sportivë që kontribuojnë në zhvillimin e sportit dhe ruajtjen e frymës olimpike.

“Urojmë që flamuri i Kosovës të vazhdojë të valojë krenar në skenat më të mëdha sportive të botës”, ka përfunduar Osmani

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, priti sot…