Ditar i protestës lirike
Sadik Krasniqi
Nurie Zekaj, Vesë a lot, Buzuku, Prishtinë, 1991
Kur e takoja Nurien nëpër tubimet letrare, por edhe kur bisedoja me të për art, letërsi, ma mori mendja se edhe ajo herë pas here shkruante.
Kur vdiq, si e dimë, herët dhe tragjikisht, e ndjeva obligim t’i gjeja punimet e saj letrare, t’i grumbulloja dhe me respekt e drojë t’i përgatitja për botim.
Pos disa poezive të botuara në “Bota sot”, “Zëri i rinisë”, “Kosovarja”, krijimet e tjera në dorëshkrim i gjeta në një fletore të saj që mbante kur ishte nxënëse në shkollën e mesme, dhe në një tjetër që është e kohës sa po ndiqte fakultetin, si dhe nëpër fletët e harruara nëpër libra, nëpër letra që ia ruanin shoqet bashkë me “Ditarin”.
Në këto dorëshkrime të shpërndara gjetëm disa poezi, një tregim, disa skica për tregime, disa refleksione ose impresione të hershme të saj, por edhe të mëvonshme, si dhe ato shkrime që kishte bërë gjatë qëndrimit në Zvicër pak para se të vdiste.
Duke i lexuar dorëshkrimet e saj vendosa të përpiloj një libër – përmbledhje shkrimesh të Nuries. Pos poezisë “Vesë a lot”, këtë titull ia dhashë librit, se kujtoj se vesa (mosha e saj e re) dhe lotët (jeta e saj e dhembshme) më së miri i përshtaten si metaforë librit të Nuries, që shkëlqeu si vesa (sa zgjati), ndërsa lotët janë dhembja dhe kujtimi që na la përgjithmonë. Duke pasur parasysh angazhimin e Nuries në punën e madhe të faljes së gjaqeve (ishte një ndër prijataret e kësaj vepre humanitare), e pamë të udhës që në këtë libër ta përfshijmë edhe intervistën e saj botuar në gazetën e studentëve “Bota e re”, ku ajo shfaqi qëndrimin e saj për pajtimin kombëtar, për të cilin ajo u dha me shpirt.
Intervista e botuar në “Bota e re” zgjoi interesim edhe jashtë Kosovës, sidomos në Shqipëri e që u botua në “Zërin e rinisë”, që del në Tiranë si dhe në librin e tretë “Ç´duan dhe ç´kërkojnë kosovarët”, të botuar, po ashtu, në Tiranë.
Këtë qasje fare të shkurtër si vëmendje për “ditarin lirik” të Nurie Zekajt do ta përfundoja me fjalët e editorit Abdullah Zeneli: “Le të jetë ky libër i Nuries një fletore e të gjithë atyre që shkruajnë herë pas here, dhe që një ditë do të dalin nga ai laborator i përvojës krijuese si poetë të mëdhenj”. Në këtë rast ndiej nevojë t´i përmend vetë dy të tillë që i dua më së shumti: Jusuf Gërvallën dhe Rexhep Elmazin.



