Ditëlindja e Zenelit dhe “Vrasja e Lulit të Vocër”!

09 qershor 2021 | 16:29

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Intelektuali shkodran dhe njëri nga atdhetarët e shquar që dha kontribut të jashtëzakonshëm në orientimin politik të luftës së UÇK-së Bedri Islami përkujtoi ditëlindjen e Zenel Islamit, të vrarë para 60 vjetësh.

Në këtë përkujtim të shkurtër Bedriu thekson: “Është ndoshta i vetmi njeri, fundin e të cilit e parashikoi poeti më i madh i letrave shqipe, Migjeni…”

Në ditëlindjen e 96-të të Zenel Islamit ju ftoj që të lexoni romanin “Vrasja e Lulit të Vocër”. Është roman që në mënyrë të mrekullueshme hedh dritë për mekanizmat që vë në funksion një sistem totalitar për të kryer dhe për të fshehur krimin “brenda llojit”.

Njoftimi se më nëntë korrik 1961 kryetari i komitetit ekzekutiv i qarkut të Elbasanit, “vrau veten” dhe dëshmitë se në atë çast ishin dëgjuar dy krisma të shpejta njëra pas tjetrës, flasin për tragjedinë e personit real të dy personazheve sa tragjike aq edhe të dashura të novelave të Migjenit (“Luli i vocërr” dhe “Zeneli”): Zenel Islamit!

Përtej fatalitetit të parashikuar nga Migjeni për personazhet e tij, fati i Zeneli Islamit u vendos në kupolën e këtij pushteti dhe u ekzekutua me ndihmën e dhëmbëzoreve që vinte në lëvizje zbatimin praktik të këtyre planeve ogurzeza. Madje, edhe vetë kreu i kësaj kupolle do të përkujdeset që të mos ngucej miti i “Lulit të vocërr” dhe “Zenelit”, por të zhbëhej njeriu real: Zenel Islami!

Dhe në këtë zhbërje, akuza për “vetëvrasje” shndërrohet në mekanizëm të zhbërjes jo vetëm të Zenel Islamit, por edhe të familjes së tij. Mirëpo, në dallim nga shumë njerëz të tjerë që u nënshtroheshin shantazheve të pushtetit, bashkëshortja e Zenel Islamit, Drita Gjylbegu jo vetëm që nuk u distancua nga “vetëvrasja” që ia vishnin burrit të saj, por as nuk braktisi tre fëmijët që kishte krijuar ky çift: Bedriu, Zana dhe Agroni. Ishte “një grua që mohoi…partinë për njeriun e saj”, prandaj shndërrohet në një person shumë të dashur për lexuesin dhe madhështore në sytë e atyre që kanë pasur rastin ta takojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një intervistë për emisionin e njohur “Late Show”, Jose…