
Djali i Behxhet Xheladinit të Dragashit u intervistua rreth dyshimeve për blerje të votave mëngjesin e 12 tetorit
Agron Xheladini, djali i kryetarit të Dragashit, është marr në pytje nga policia mëngjesin e 12 tetorit për dyshimin se ka ndikuar në procesin zgjedhor duke tentuar të blejë vota për babain e tij, Behxhet Xheladinin. Policia ka deklaruar se nuk kishte prova, ndërsa familja Xheladini ka thënë se bëhet fjalë për shpifje dhe akuza të stisura nga kundër-kandidatët.
Agron Xheladini dhe disa shokë të tij, rreth orës 02:00 të mëngjesit të 12 tetorit, janë dërguar në stacionin policor për të dhënë deklaratë lidhur me disa dyshime për ndikim në procesin zgjedhor.
Me datën 12.10.2025, konkretisht në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 02:00 në Dragash, pas një ankese se gjoja disa persona po ndikojnë në procesin e zgjedhjeve në mënyrë të kundërligjshme, janë intervistuar dy persona. Megjithatë, askush nuk është arrestuar apo ndaluar, pasi nuk janë gjetur elemente për fillimin e ndonjë hetimi lidhur me ndonjë vepër penale,” ka konfirmuar zëdhënësi për media nga rajoni i Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Këto akuza i ka mohuar kategorikisht edhe kryetari i Dragashit, Behxhet Xheladini, duke i quajtur të pasakta.
Sipas tij, policia ka kryer një kontroll rutinë në një veturë, në të cilën ndodhej edhe djali i tij.
“Ajo ka ndodhur një ditë para votimit, jo në qendrën e votimit. Një ditë para votimit, pasi e kanë shikuar ndeshjen Shqipëri–Serbi, janë kthyer në shtëpi natën vonë. Duke ardhur në shtëpi, i ka ndalur policia, i ka kontrolluar dhe nuk u është gjetur asgjë. Kanë qenë 6–7 vetë me dy vetura. Pastaj i kanë ftuar në stacion policor, s’u është gjetur asgjë dhe janë kthyer në shtëpi. Nuk ka pasur arrestime, ka pasur kontroll. Partitë politike u kanë ndenjur gati dhe i kanë lajmëruar. Ka qenë kontroll i rregullt i policisë. Nuk u janë gjetur as para, as asgjë të jashtëligjshme,” ka deklaruar Xheladini për Insajderin.
Lidhur me këto dyshime ka reaguar edhe djali tjetër i kryetarit, Alban Xheladini, përmes një statusi në Facebook:
“Shpifjet e Izet Aliut nuk kanë efekt. Sa herë ai propagandon, babait tim i rritet rejtingu në opinion,” ka shkruar ai.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 12 tetorit- Behxhet Xhelaldini ka shkuar në balotazh me Shaban Shabanit të PDK-së. Ai nuk ka arritur t’i marr votat e mjaftueshme për të fituar me të parën garën për kryetar të Dragashit.