Djali i deputetit Shala deklarohet rreth emërimit të tij si konsull i përgjithshëm në Pragë

25 nëntor 2020 | 14:24

Flakron Shala, djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, ka reaguar në lidhje me emërimin e tij në pozitën Konsull i përgjithshëm i Kosovës në Çeki.

Ai ka thënë se në këtë pozitë është emëruar sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës.

“Në pozitën Konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës jam emëruar sipas ligjit në fuqi me propozim të MPJ-së dhe me dekretim të presidentit të Kosovës. I gjithë ky proces është bazuar në CV-n time dhe përvojën pesëvjeçare në pozitën si menaxher shteti për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në Kompaninë çeke ‘Elanor a.s”, pëfshirë kualifikimin universitar me gradën Master i Ekonomisë dhe PHD- kandidat, drejtimi Teoria e Ekonomisë”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Flakron Shalës:

Të nderuar miq, shoqëri civile dhe media të Republikës së Kosovës!

Meqenëse së fundmi disa media e portale kanë etiketuar emërimin tim në pozitën Konsull i përgjthshëm i Republikës së Kosovës në Republikën Çeke, në shumë raste duke paragjykuar profilin tim, po ju jap këtë sqarim se:

Unë ndihem shumë i nderuar dhe i motivuar që si biri i një ish-ushtari të UÇK-së kam pasur mundësinë që të përfundojë studimet themelore master dhe jam në përfundim të doktoraturës në Universitetin VSE (Prague University of Economics) në Republikën Çeke.

Në pozitën Konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës jam emëruar sipas ligjit në fuqi me propozim të MPJ-së dhe me dekretim të presidentit të Kosovës.

I gjithë ky proces është bazuar në CV-n time dhe përvojën pesëvjeçare në pozitën si menaxher shteti për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në Kompaninë çeke ‘Elanor a.s”, pëfshirë kualifikimin universitar me gradën Master i Ekonomisë dhe PHD- kandidat, drejtimi Teoria e Ekonomisë.

Nëse unë jam djali i një deputeti dhe ish-pjesëtari të UÇK-së, kjo nuk do të duhej të përbënte pengesë dhe as të nxiste debat publik për asnjë shtetas të Kosovës që të emërohet në detyra shtetërore dhe as për mua.

Prindi im Haxhi Shala, si një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka as më shumë e as më pak autoritet ligjor e politik se deputetët tjerë, pra deputeti nuk ka kompetencë të emëroj apo shkarkoj zyrtarët e MPJ-së dhe as Konsujt e përgjitḧshëm.

Jam i nderuar dhe i motivuar që si kuadër i përgatitur dhe edukuar në Republikën Çeke bashkë me përvojën time perëndimore, të përfaqësoj me dinjitet, profesionalizëm dhe kujdes Republikën e Kosovës kudo, në çdo takim, aktivitet apo detyra të Konsullit të përgjithshëm.

Flakron H. Shala
Pragë 25.11.2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka nënshkruar deklaratën kundër ngacmimit…