
Djali i Jakup Krasniqit bën thirrje për protestë: Ata luftuan për ne
Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës së sotme që do të mbahet në orën 17:00.Ai theksoi se kjo protestë nuk ka të bëjë me mbrojtjen e disa individëve, por me mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se protesta është kundër përpjekjeve për të barazuar agresorin me viktimën dhe ndaj padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së. “Protestoni sot bashkë me ne! Jo për individët, por për çka ata përfaqësojnë – për luftën e drejtë dhe të shenjtë të UÇK-së. Ata luftuan për ne, ne sot kemi obligim moral të ngrihemi për ta,” shkroi ndër të tjera ai.
Postimi i plotë:
Protestoni sot, bashkë me ne!
Jo thjesht për individët, por për atë që secili prej tyre përfaqëson: luftën e shenjtë dhe të shtrenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestoni sot, kundër padrejtësisë. Kundër politikave të Beogradit, që kanë për qëllim ta barazojnë viktimën me agresorin më të madh të Ballkanit.
Protestoni sot bashkë me ne, sepse ndërsa jeta vazhdoi dhe ne po e jetojmë rehatinë që na e solli lufta e UÇK-së, ata po e jetojnë padrejtësinë më të madhe.
Larg atdheut, ata përjetuan vdekjen e prindërve e vëllezërve. Fëmijët u rritën, disa u martuan, e babai u bë edhe gjysh.
Megjithëse larg atdheut, ata nuk u dorëzuan, e nuk do të dorëzohemi as ne.
Sot ata kanë më shumë flokë të thinjura e më shumë rrudha në ballë, por janë më të bashkuar se kurrë dhe më të bashkuar duhet të jemi edhe ne.
Ata luftuan për ne. E ne sot e kemi obligim moral dhe kombëtar të protestojmë për ta.
Kjo është thirrja jonë për drejtësi.
Sepse nëse ka drejtësi, s’mund të gjykohet lufta e drejtë e një populli, heronjtë e saj, ndërsa të mbesin të lirë kriminelët serbë.