
Djali i Jakup Krasniqit me mesazh emocional para protestës: Protestoni sot, bashkë me ne
Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka bërë thirrje për protestën e sotme, e cila do të mbahet në ora 17:00.
Ai ka bërë me dije se kjo protestë nuk është për disa individët, por për luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se kjo protestë është kundër politikave të Beogradit, që kanë për qëllim ta barazojnë viktimën me agresorin.
Statusi i plotë i Krasniqit:
Protestoni sot, bashkë me ne!
Jo thjesht për individët, por për atë që secili prej tyre përfaqëson: luftën e shenjtë dhe të shtrenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestoni sot, kundër padrejtësisë.
Kundër politikave të Beogradit, që kanë për qëllim ta barazojnë viktimën me agresorin më të madh të Ballkanit.
Protestoni sot bashkë me ne, sepse ndërsa jeta vazhdoi dhe ne po e jetojmë rehatinë që na e solli lufta e UÇK-së, ata po e jetojnë padrejtësinë më të madhe.
Larg atdheut, ata përjetuan vdekjen e prindërve e vëllezërve. Fëmijët u rritën, disa u martuan, e babai u bë edhe gjysh.
Megjithëse larg atdheut, ata nuk u dorëzuan, e nuk do të dorëzohemi as ne.
Sot ata kanë më shumë flokë të thinjura e më shumë rrudha në ballë, por janë më të bashkuar se kurrë dhe më të bashkuar duhet të jemi edhe ne.
Ata luftuan për ne.
E ne sot e kemi obligim moral dhe kombëtar të protestojmë për ta.
Kjo është thirrja jonë për drejtësi.
Sepse nëse ka drejtësi, s’mund të gjykohet lufta e drejtë e një populli, heronjtë e saj, ndërsa të mbesin të lirë kriminelët serbë.