Djali i presidentit të Iranit u bën thirrje autoriteteve të rikthejnë internetin: Izolimi digjital nuk do të zgjidhë asgjë, thjesht do të shtyjmë problemin
Yousef Pezeshkian, djali i presidentit të Iranit, Masoud Pezeshkian, ka bërë thirrje që kufizimet e internetit në vend të hiqen, duke thënë se asgjë nuk do të zgjidhet duke u përpjekur të shtyhet qarkullimi online i videove dhe fotografive të shtypjes së dhunshme të protestave.
Ndërsa mes udhëheqësve kryesorë të regjimit ka një përplasje rreth rreziqeve politike të vazhdimit të bllokimit të internetit, Yousef Pezeshkian, djali i Masoud Pezeshkianit që u zgjodh president në verën e vitit 2024, tha se vazhdimi i izolimit digjital do të krijonte pakënaqësi dhe do të zgjeronte hendekun mes popullit dhe qeverisë.
“Kjo do të thotë se edhe ata të cilët nuk kanë qenë apo nuk janë të pakënaqur, do t’i shtohen listës së të pakënaqurve,” shkroi ai në një postim në Telegram. Publikimi i videove që tregojnë dhunën gjatë protestave është “diçka me të cilën do të duhet të përballemi herët a vonë”, shtoi Yousef Pezeshkian. “Mbyllja e internetit nuk do të zgjidhë asgjë, thjesht do ta zvarritim problemin.”
Heqja sporadike e kufizimeve po çon drejt një zbulimi gradual dhe të dhimbshëm të numrit të protestuesve të vrarë, mes të cilëve ka edhe fëmijë. Të mbrojtur nga bllokimi i internetit, autoritetet ndërmorën një goditje të dhunshme, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar disa mijëra të vdekur. Iran Human Rights, një OJQ me qendër në Norvegji, deklaron se shifra përfundimtare mund të arrijë deri në 25 mijë të vdekur. Ndërkaq, mijëra persona të tjerë vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Fotografitë e shumë fëmijëve të vrarë po publikohen në faqet iraniane të internetit, ndërsa drejtori i spitalit oftalmologjik Farabi në Teheran, Dr. Ghasem Fakhraei, tha se qysh nga nisja e protestave, stafi i kësaj qendre të specializuar kishte operuar mbi 1,000 pacientë që kishin nevojë për kirurgji urgjente të syve. Repartet e spitalit ishin të mbingarkuara, tha ai.
Molavi Abdolhamid, një klerik i shquar sunit dhe udhëheqës i njohur i faljes së xhumasë në Zahedan, në juglindje të Iranit, iu referua vrasjes së dhunshme të protestuesve gjatë janarit si një “masakër e organizuar”.
Yousef Pezeshkian, i cili shërben edhe si këshilltar qeveritar, deklaroi se vazhdimi i bllokimit të internetit në vend paraqet një rrezik më të madh se sa rikthimi i protestave në momentin që interneti do të lejohet. Ai tha gjtihashtu se institucionet e sigurisë duhet të garantojnë rendin dhe sigurinë edhe me ekzistencën e internetit, të cilin e quajti një domosdoshmëri të jetës.
Duke përsëritur komentet e të atit, Pezeshkian u shpreh se protestat morën kthesë të dhunshme për shkak të përfshirjes së grupeve të trajnuara profesionalisht të lidhura me të huajt, por shtoi: “Ndërkohë, forcat e sigurisë dhe të rendit mund të kenë bërë gabime dhe askush nuk do t’i mbrojë shkeljet; kjo duhet të adresohet.” (The Guardian)



