Djali i shahut të fundit të Iranit thotë se Trump është ‘gati t’i ndihmojë’ protestuesit
Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit i rrëzuar nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump është “gati t’i ndihmojë” protestuesit në Iran ndërsa demonstratat kundër qeverisë përhapen në të gjithë vendin, raporton “CNN”.
“Bota sot qëndron me revolucionin tuaj kombëtar dhe admiron guximin tuaj. Në veçanti, presidenti Trump, si udhëheqësi i botës së lirë, ka vëzhguar nga afër trimërinë tuaj të papërshkrueshme dhe ka deklaruar se është gati t’ju ndihmojë”, ka thënë Pahlavi në një adresim me video të publikuar të dielën.
“Mos i braktisni rrugët. Zemra ime është me ju. Unë e di se së shpejti do të jem pranë jush”, ka thënë ai.
Pahlavi tha të dielën se “raporte të besueshme” tregojnë se Republika Islamike “po përballet me një mungesë të rëndë mercenarësh për t’u përballur me miliona njerëz nëpër rrugë”.
“CNN” nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.
Të shtunën, ai ka bërë thirrje për një grevë dy-ditore në të gjithë vendin.
Presidenti Donald Trump tha të shtunën se ShBA është gati ta ndihmojë popullin iranian, pa sqaruar se si mund të duket kjo ndihmë, duke postuar një mesazh në Truth Social në solidaritet me ata që i qëndrojnë kundër regjimit iranian.



