Djalli apo kush po na mbërthen me u sha mes veti?

18 korrik 2019 | 12:15

Salihe Salihu, PhD kandidat dhe veprimtare

Bashkimi bënë fuqi ishte një frazë që u shndërrua në hit të vitit të kaluar gjatë zgjedhjeve lokale dhe kjo frazë mu shpikë sot në kokë jo për t’u rikthyer te përdorimi i njëjtë i kësaj fraze por për ta kap temën rreth diskursit helmues që ka përfshirë shqiptarët e Kosovës por edhe më gjerë.
Diskursi politik helmues kohëve të fundit që u lansua është rreth debatit buxhovian (Jusuf Buxhovi) që mori dhenë, dhe u shndërrua në hipertemë jo vetëm në gazeta e portale mediatike por edhe në biseda me njëri-tjetrin e që shkaktoi defekte sa që edhe lukthi gurgullonte vrer nga helmi i absorbuar.

Hipotetikisht mund të them se ndoshta krejt kjo atmosferë u krijua për të dëshmuar se ne jemi aktivë në shoqëri nuk dalim jashtë me u rrezitë e mu përvlue nën rreze të diellit por i hidhemi njëri-tjetrit dhe i nxejmë nervat ma shpejt se nga temperaturat natyrore. Ndërsa dëshmia tjetër mund të jetë e konektuar me paraqitjen të fuqisë efektive se neve nuk na ndalë askush bile nuk mërzitemi fare për pasojat që mund ti shkakton ky lloj debati i kavërdistë bukur gjatë por që është pa fije kripe.

Shtrohet pyetja se çfarë zori patëm ti’ hyjmë këtij debati dhe shumë debateve tjera që momentalisht janë shumë të infektuara dhe aspak të dobishme as për njërën palë e as për tjetrën. Athu djalli na ka hy në palcë e po na sillet e mbërthen kah po dëshiron vet?
Mund t’i vargojmë disa njohuri që edhe një analfabet i di e leje më ndonjë që e ka vizituar bankën e shkollës apo ka lexuar ndonjë notis ndonjëherë. Të gjithë e dimë që Kosova ka rezistuar nëpër të gjitha fazat gjatë okupimit por rezistenca ka variuar në forma të ndryshme. Një ndër format e njohura janë grupet kaçake rezistuese, protestues e demonstrues, grupet ilegale të organizuara për rezistencë, rezistenca paqësore dhe finalja dhe që ishte produktivja ishte forma e rezistencës aktive me armë në duar e udhëhequr nga UÇK-ja.

Pa hyrë në shpjegime shkencore apo në ndonjë përshkrim kronologjik mund të potencojmë se secili grup dhe secila formë e ka rëndësinë e vet për kontributin e dhënë. Përpos kësaj të gjithë e dimë që rezistenca paqësore është përkrahur edhe nga vetë liderët e ilegales me shpresë se do t’i shmangemi luftës pasi që ish-sistemi komunist pati pësuar goditje vdekjeprurëse dhe me këtë disfatë ne shqiptarët e gjorë besonim se do të jetë një mundësi apo shansi i fundit që me rënien e këtij sistemi njëkohësisht do të mundemi të çliroheshim edhe nga pushtim.

Shpejt u kuptua si ky mendim ishte iluzionar dhe vetëmashtrim që nuk shpinte askund tjetër përpos drejt nënshtrimit total ndaj okupimit. Ky vetëdijesim ishte një nxitje thelbësore për tu aktivizuar masovikisht dhe rrjedhimisht përcaktimi për tu themeluar UÇK-në. Kjo ishte arritja më e fuqishme që dha rezultatet faktike drejt çlirimit të Kosovës. Prandaj në përgjithësi çështjet janë shumë të njohura dhe nuk është e drejt që të shtrembërohen, devijohen, apo të përplasen sa andej e sa këndej këto të kontribute.

Për të përmbyllë këtë temë dëshiroj të apeloj tek të gjithë se më mirë është të merremi më shumë me punë e obligime që janë më imperative për shtetin tonë sepse askush nuk mund t’i kryen punë tona më mirë se na vet dhe prandaj duhet ti japim prioritet maksimal këtyre detyrave.

Në këtë kontekst vlen të potencohet që vendet me traditë të fortë demokratike gjatë viteve të fundit ato e kanë forcuar disiplinën e diskursit të tyre si në të shprehur ashtu edhe në të shkruar që të mos bien preh e propagandës rusofile. Sistemi propagandues rusë ka marrë dimensione globale dhe është duke u konsideruar si kërcënim i nivelit ndërkombëtar.
Ky rrezik na është vërshuar edhe në Kosovë e gjetiu në treva shqiptare kështu që ne të gjithë duhet ta vendosim gjuhën në kandarë/peshore për t’i matur fjalët tona dhe shkrimet tona. Maturia në këto momente është një masë parandalues që do na ndihmonte që të frenohemi e të reflektojmë se athua mos djalli po na zvarrit nëpër mjegull apo kah po dëshiron ai vet për të nga turbulluar nga përgjegjësitë tona për vendin tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion i komunës së Mitrovicës në përbërje me kryetarin…