
Djokoviqi tërhiqet nga Indian Wells, shkak mosvaksinimi
Pas eliminimit një ditë më parë nga turneu ATP i Dubai, tenisti serb Novak Djokoviq ka deklaruar se ende nuk ka vendosur se cili do të jetë eventi i radhës ku do të luajë. Ai ishte regjistruar në turneun Masters të Indian Wells (nis në mars), por është tërhequr, pasi vaksina ishte kusht për të marrë pjesë. “Për momentin nuk mund të hyj në Amerikë.
Për momentin nuk mund të marr pjesë në turneun e Indian Wells, por të shohim më tej se çfarë do të ndodhë. Të shohim nëse do të ndryshojë ndonjë gjë në javët në vijim. Nuk kam një datë të saktë se kur do të luaj sërish edhe pse dëshira për të zbritur në fushë është e madhe”, ka thënë Djokoviq.
Serbi, pas eliminimit nga Dubai, ka humbur edhe kreun e renditjes botërore. Nga dita e hënë ai do të jetë numri 2, por duke luajtur kaq pak ai rrezikon të humbasë të tjera pozicione në renditje. Këtë vit ai nuk luajti në Australian Open, pasi u përjashtua si i pavaksinuar.