DnV-ja kërkon rinumërim të votave të kandidatëve për deputetë në të gjitha vendvotimet
Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), ka vlerësuar se gjetjet e KQZ-së nga verifikimi i 2 për qind të vendvotimeve për votat e kandidatëve, dëshmojnë se procesi i numërimit ka pasur mangësi serioze, të cilat cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e rezultateve zgjedhore.
“Edhe pse rezultati për subjektet politike nuk vihet në dyshim, saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatë është element thelbësor i vullnetit të votuesve dhe pjesë përbërëse e rezultatit zgjedhor. Konfirmimi i dallimeve substanciale në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar në vetëm 2 për qind të mostrës së vendvotimeve është një indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të rrjedhin nga gabime të izoluara njerëzore”, është thënë në reagimin e DnV-së.
DnV-ja ka rekomanduar që të ketë rinumërim të plotë në gjithë vendin.
“Përkundër vendimit të sotëm të KQZ-së për rinumërimin e 10 për qind të të gjitha vendvotimeve në nivel vendi dhe për rinumërimin e 100 për qind të vendvotimeve në 10 komuna ku është vërejtur devijim i theksuar i rezultateve (Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviq dhe Ranillug), e që në total përbëjnë afër 36 për qind të vendvotimeve në Kosovë, DnV-ja vlerëson që kjo masë është e pamjaftueshme. Rinumërimi i vetëm 1/3 së vendvotimeve mund të prodhojnë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve tjera duke e vonuar edhe më tutje procesin. Andaj DnV rekomandon që të ketë rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin për të siguruar kredibilitet të procesit dhe besim të publikut në rezultatet zgjedhore. Po ashtu kërkojmë nga organet e drejtësisë që të fillojnë hetimin e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim të procesit të numërimit”.
“Demokracia në Veprim rithekson se qëllimi kryesor nuk duhet të jetë përshpejtimi i shpalljes së rezultateve, por sigurimi që çdo votë e qytetarit të numërohet saktë dhe të reflektohet drejt në përbërjen e institucioneve të ardhshme”, është thënë në këtë reagim.
Kujtojmë se KQZ-ja ka vendosur sot (e martë) që 10 komuna të shkojnë 100 për qind në rinumërim.



