DnV-ja: Procesi i votimit po rrjedh i qetë

06 tetor 2019 | 12:33

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” po vazhdon të vëzhgojë procesin e votimit që nga hapja e vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po zhvillohen sot në tërë vendin.

“Deri në orën 09:30, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 102 mijë qytetarë, përkatësisht 6% e qytetarëve me të drejtë vote. Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1,937,869 qytetarë (111,733 votues më shumë nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017)”, është thënë në njoftimin e DnV-së.

Sipas DnV-së, në bazë të raportimeve të vëzhguesve në terren, në përgjithësi procesi zgjedhor është duke u zhvilluar i qetë por nuk kanë munguar edhe parregullsitë në procesin e votimit. Këto parregullsi kanë qenë evidente edhe gjatë raundeve të kaluara zgjedhore të vitit 2017.

“Votuesit po hasin në vështirësi për ta gjetur vendvotimin e duhur për të votuar. Deri në ora 09:30, janë evidentuar 3695 raste kur votuesit kanë pasur vështirësi të gjejnë vendvotimin e tyre në afër 1000 (një mijë) vendvotime”, thuhet në këtë njoftim.

DnV-ja ka theksuar se asistenca gjatë votimit është një ndihmë e cila mund t’i ofrohet votuesit, nën rrethana të veçanta në mënyrë që çdo votues të ketë mundësinë e ushtrimit të së drejtës së tij/saj juridike për të votuar.

“Rregulla zgjedhore përcakton se asistenca në votim nuk mund të ofrohet më shumë se një herë, nga i njëjti qytetar ndërsa anëtarëve të KVV-vë apo vëzhguesve të akredituar u ndalohet rreptësisht të ofrojnë asistencë në votim. Në të kaluarën asistenca është keqpërdorur për të imponuar apo deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve duke ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e një subjekti politik apo kandidatëve të caktuar”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Lidhja Demokratike e Kosovës është duke manipuluar votuesit në Sllatinë…