Do ta hedhim poshtë aktakuzën ndaj veteranëve të UÇK-së

25 shtator 2018 | 16:56

Kryetari i Degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) në Pejë, Gazmend Syla, të hënën u ka bërë thirrje bashkëluftëtarëve dhe të gjithë qytetarëve të protestojmë kundër padrejtësisë së radhës që i bëhet luftës së shenjtë të UÇK-së.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se protesta e së mërkurës që do të mbahet në orën 13:00 te Pallati i Drejtësisë në Veternik – Prishtinë ka për qëllim mbrojtjen e vlerave të luftës dhe dinjitetit të luftëtarit të UÇK-së. “Qëllimi i protestës së 26 shtatorit është kundërshtimi i aktakuzës së Prokurorisë në rastin ‘Veteranët’, kundërshtimi i fyerjeve që ua bënë luftëtarëve dhe luftës çlirimtare”, është shprehur Syla.

Ai ka thënë se pret pjesëmarrje masive në protestën e së mërkurës ani pse kjo protestë nuk ka përkrahje nga Kryesia Qendrore e OVL të UÇK-së. “Deri më tani ka një përkrahje për protestën nga Shoqata e Invalidëve të Luftës (ShIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (ShFD) të UÇK-së në nivel qendror, si dhe shumë degë të OVL të UÇK-së. Nuk e dimë arsyen pse nuk ka përkrahje nga Kryesia Qendrore e OVL të UÇK-së. Po presim mbështetje nga të gjithë veteranët. Kemi marrë mesazhe mbështetëse nga e tërë Kosova”, ka theksuar Syla.

Ai ka thënë se do ta hedhin poshtë komplet aktakuzën ndaj veteranëve në mënyrë që t’i hapet rruga një hetimi të ri. Sipas Sylës, hetimi i veteranëve nuk ka qenë serioz, por ka pasur për qëllim degradimin e luftës çlirimtare. “Nuk jam vetëm unë. Kam plot bashkëluftëtarë në atë listë. Në fakt, njoh shumicën prej tyre personalisht. Kjo tregon se hetimi nuk ka qenë serioz, ka qenë tendencioz për ta minimizuar dhe degraduar luftën çlirimtare. Ne mendojmë që do të arrijmë ta hedhim poshtë komplet këtë aktakuzë të pabazë, e mandej një hetim i ri të sqarojë nëse ka pasur lëshime gjatë procesit të verifikimit”, ka deklaruar ai. Syla ka bërë me dije se në këtë fazë nuk pritet t’u ndalen pensionet veteranëve që, sipas prokurorisë, janë veteranë të rrejshëm.

“Epoka e re”: Z. Syla, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) në Dukagjin ka paralajmëruar protestë për të mërkurën, më 26 shtator. Mund të na tregoni se cili është qëllimi i kësaj proteste?
Syla: Qëllimi i protestës së 26 shtatorit është kundërshtimi i aktakuzës së Prokurorisë në rastin ‘Veteranët’, kundërshtimi i fyerjeve që ua bënë luftëtarëve dhe luftës çlirimtare. Protesta do të mbahet në orën 13:00 te Pallati i Drejtësisë në Veternik – Prishtinë dhe ka për qëllim mbrojtjen e vlerave të luftës dhe dinjitetit të luftëtarit të UÇK-së.

“Epoka e re”: Pse veç veteranët e Dukagjinit kanë organizuar këtë protestë, pra nuk është bërë nga niveli qendror i OVL UÇK-së?
Syla: Deri më tani ka një përkrahje për protestën nga Shoqata e Invalidëve të Luftës (ShIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (ShFD) të UÇK-së në nivel qendror, si dhe shumë degë të OVL të UÇK-së. Nuk e dimë arsyen pse nuk ka përkrahje nga Kryesia Qendrore e OVL të UÇK-së.

“Epoka e re”: Prisni mbështetje edhe prej zonave të tjera?
Syla: Po presim mbështetje nga të gjithë veteranët. Kemi marrë mesazhe mbështetëse nga e tërë Kosova.

“Epoka e re”: Deri më tani ka pasur mjaft deklarata lidhur me numrin e veteranëve në përgjithësi, por edhe të Dukagjinit në veçanti. Sipas jush, sa është numri i veteranëve dhe a prisni që krejt këta veteranë të marrin pjesë në protestën e së mërkurës?
Syla: Numrin e luftëtarëve mund ta dinë komandantët, secili për njësitin e vet. Në këtë rast për Zonën Operative të Dukagjinit mund ta pyesni ish-komandantin e zonës, sot kryeministër, Ramush Haradinaj. Përkrahja është nga të gjithë veteranët, mundësia për pjesëmarrje në protestë është tjetër. Të punësuarit dhe të moshuarit nuk presim që të vijnë por, gjithashtu, pjesëmarrja kufizohet edhe nga mundësia e degëve të OVL-së për ta siguruar transportin. Megjithatë, presim një pjesëmarrje masive.

“Epoka e re”: Si e komentoni faktin që edhe ju jeni pjesë e listës së veteranëve të rrejshëm?
Syla: Nuk jam vetëm unë. Kam plot bashkëluftëtarë në atë listë. Në fakt, njoh shumicën prej tyre personalisht. Kjo tregon se hetimi nuk ka qenë serioz, ka qenë tendencioz për ta minimizuar dhe degraduar luftën çlirimtare.

“Epoka e re”: Z. Syla, ka rrezik t’ju ndalen pensionet të ashtuquajturve “veteranë të rrejshëm”? Nëse po, cilët janë hapat që do të ndërmerrni në këtë drejtim?
Syla: Në këtë fazë jo. Ne mendojmë se do të arrijmë ta hedhim poshtë komplet këtë aktakuzë të pabazë, mandej një hetim i ri të sqarojë nëse ka pasur lëshime gjatë procesit të verifikimit. Mos harroni se pas regjistrimit të popullsisë, projekti i verifikimit të veteranëve është më i madhi që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë dhe normalisht se mund të kenë ndodhur lëshime, që nuk janë aq të mëdha sa pretendon Prokuroria.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që nga 1 shatori i këtij viti, të gjitha ofertat…