Do ta rikthejmë pushtetin në Klinë

29 prill 2019 | 16:50

Ish-kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i cili sërish është zgjedhur në krye të Partisë Demokratike Kosovës (PDK) në Klinë, është shprehur i bindur se kjo parti do ta kthejë pushtetin në këtë komunë.

Ai ka deklaruar se PDK-ja në zgjedhjet e ardhshme nacionale do të jetë parti e parë në vend dhe do ta udhëheqë qeverinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai nuk është shprehur i kënaqur me punën aktuale të koalicionit qeverisës.

“Mendoj se kjo është një qeverisje e cila lë shumë për të dëshiruar, sepse shumë projekte madhore për vendin nuk po ecin përpara. Shumë probleme në këtë qeveri janë si rezultat i kryeneçësisë dhe joprofesionalizmit të kësaj qeverie. Besoj se me udhëheqjen e qeverisë nga PDK-ja, e cila do të jetë fituese e zgjedhjeve të reja dhe me kryeministrin e ardhshëm që do të jetë nga PDK-ja, prapë do t’u kthehet qytetarëve besimi tek institucionet”, ka thënë Bashota.

Sipas tij, vetëm lidershipi i kësaj partie mund t’i çojë përpara proceset e rëndësishme për Kosovën.

“Besoj se tashmë qytetarët janë vetëdijesuar dhe sërish e kanë kthyer besimin te lidership i PDK-së sepse ai lidership edhe në të kaluarën,  në rrethana më të vështira për vendin, ka ditur t’i marrë përgjegjësit e veta dhe do të dijë edhe tani t’i marrë këto përgjegjësi dhe ta çojë përpara këtë vend”, është shprehur Bashota. Ai e ka kritikuar qeverisjen në Komunën e Klinës, duke thënë se kjo qeverisje po u shërben vetëm interesave të ngushta klanore dhe jo qytetarëve.

Sipas Bashotës, në zgjedhjet e ardhshme lokale do të kthehet qeverisja e PDK-së në këtë komunë. “Synimin tonë për ta rikthyer pushtetin në Klinë po e ndihmon shumë një qeverisje e keqe, e cila është instaluar në Komunën e Klinës, pas një konglomerati të partive dhe njerëzve të cilët me shumë punojnë për interesa të ngushta individuale dhe klanore e aspak për qytetarët e Komunës së Klinës”, ka deklaruar Bashota.

 “Epoka e re”: Z. Bashota, jeni zgjedhur kryetar i Degës së PDK-së në Klinë. Si shkoi ky proces dhe si është pritur në elektorat zgjedhja juaj?
Bashota: Pas vendimit të Kryesisë Qendrore të PDK-së për t’i organizuar zgjedhjet e brendshme, edhe Dega në Klinë, në përputhje të rregullores së brendshme për zgjedhjet, ka filluar këtë proces. Procesi zgjedhor në Degën e PDK-së në Klinë ka qenë mjaft transparent. Secili ka pasur të drejtë të zgjedhë dhe të zgjedhet. Gjatë këtij procesi në 42 nëndegë janë mbajtur kuvendet zgjedhore, ku 1 300 persona kanë marrë pjesë në këtë proces zgjedhor. Sa i përket asaj se si është pritur zgjedhja ime, mendoj se është pak herët të flasim, megjithatë sinjalet janë më të mira, ngaqë kam marrë shumë mesazhe urimi qoftë përmes rrjeteve sociale, qoftë sy me sy. Vetë fakti se rreth 85 për qind e 180 delegatëve më kanë votuar për kryetar, tregon se është mirëpritur zgjedhja ime kryetar dege në Klinë.

“Epoka e re”: Në zgjedhjet e fundit lokale, për humbjen në garën për kryetar të Klinës, pate akuzuar shumë bashkëpartiakë për sabotim. I keni eliminuar këto probleme brendapartiake?
Bashota: Mendoj se këto probleme janë eliminuar vetvetiu. Tashmë të gjithë janë të vetëdijshëm për gjithë atë proces të dhimbshëm. Besoj tashmë gjithçka është kthyer në binarë të duhur dhe të gjithë janë të bindur në fitoren e ardhshme të PDK-së jo vetëm në nivelin lokal, por edhe në atë qendror. PDK-ja në Klinë tanimë ka mbi 6 000 votues. Ky numër është arritur për herë të parë. Tani i bie se kemi më shumë vota se dy partitë e tjera më të mëdha në Klinë bashkërisht.

“Epoka e re”: Sa besoni se me këto struktura të reja do ta riktheni qeverisjen e PDK-së në Klinë?
Bashota: Në këtë proces PDK-së i janë bashkangjitur shumë personalitete dhe  intelektualë të profileve të ndryshme. Duke u bazuar në të gjithë atë vullnet të elektoratit të PDK-së që është parë në këto zgjedhje dhe gatishmërinë e të rinjve dhe të rejave që të marrin përgjegjësi, mendoj se kjo është garanci e madhe drejt fitores së radhës të PDK-së në Klinë. Të gjithë kanë hyrë me bindjen se PDK-ja ta rikthejë pushtetin në këtë qytetet.

 “Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen në Klinë?
Bashota: Synimin tonë për ta rikthyer pushtetin në Klinë po e ndihmon shumë një qeverisje e keqe e cila është instaluar në Komunën e Klinës pas një konglomerati të partive dhe njerëzve të cilët me shumë punojnë për interesa të ngushta individuale dhe klanore e aspak për qytetarët e Komunës së Klinës. Mendoj se qytetari i Klinës nuk e meriton një qeverisje të tillë dhe një degradim të pushtetit në këtë mënyrë. Jo vetëm për hir të elektoratit të PDK-së, por edhe për hir të të gjithë qytetarëve të Klinës duhet të rikthehet pushteti i PDK-së në këtë qytetet. Me qeverisjen tonë qytetari ka qenë në rend të parë. Tani besoj se edhe qytetarët e kanë kuptuar se vetëm me qeverisjen e PDK-së mund të kthehet besimi i qytetarëve në institucione.

“Epoka e re”: Meqenëse po e vlerësoni si të dobët qeverisjen në këtë komunë që udhëhiqet nga AAK-ja, do të  thotë  kjo se qeveria qendrore e udhëhequr nga lideri i AAK-së nuk po e mbështet sa duhet?
Bashota: Në Klinë nuk është vetëm qeverisja e AAK-së. Aty është duke qeverisur një konglomerat partish. Vetëm ne jemi në opozitë dhe një iniciativë qytetare që ka qenë aleate e jona në vitet e fundit. Nuk mund të them se është fajtore qeveria qendrore, por menaxhimi i keq në qeverisjen komunale. Këta nuk kanë aftësi as t’i zbatojnë projektet që ne i kemi aprovuar, ani pse buxheti për ato projekte ka qenë i ndarë.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen në nivel qendror?
Bashota: Mendoj se kjo është një qeverisje e cila lë shumë për të dëshiruar, sepse shumë projekte madhore për vendin nuk po ecin përpara. Shumë probleme në këtë qeveri janë si rezultat i kryeneçësisë dhe joprofesionalizmit të kësaj qeverie. Besoj se me udhëheqjen e qeverisë nga PDK-ja, e cila do të jetë fituese e zgjedhjeve të reja dhe me kryeministrin e ardhshëm që do të jetë nga PDK-ja, prapë do t’u kthehet qytetarëve besimi tek institucionet. Në të kaluarën të gjitha projektet madhore që kanë qenë në interes të qytetarëve të vendit kanë pasur firmën e ish-kryeministrit Hashim Thaçi. Besoj se tashmë qytetarët janë vetëdijesuar dhe sërish e kanë kthyer besimin te lidership i PDK-së, sepse ai lidership edhe në të kaluarën, në rrethana më të vështira për vendin, ka ditur t’i marrë përgjegjësit e veta dhe do të dijë edhe tani t’i marrë këto përgjegjësi dhe ta çojë përpara këtë vend.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë me dije se…