Do të fitoj pa balotazh

20 shkurt 2020 | 13:54

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, është shprehur i bindur në fitoren e tij më 15 mars. Ai ka deklaruar se edhe në këtë mandat do të vazhdojë qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë komunë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rudari ka thënë se pret që këto zgjedhje t’i fitojë qysh në raundin e parë. “Ne synojmë dhe do të përgatitemi që ta fitojmë këtë garë pa balotazh dhe ta vazhdojmë qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Podujevës. Pra, presim që këto zgjedhje t’i fitojmë qysh në raundin e parë”, ka thënë Rudari.

Ai ka vlerësuar se elektorati i LDK-së në këtë komunë është stabil. Sipas Rudarit, kushdo që mendon se ky elektorat ka lëvizur, gabon. Duke iu përgjigjur pretendimeve të kandidatit të LV-së për kryetar të kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, i cili ka thënë se kjo komunë nuk është më bastion i LDK-së, Rudari ka thënë se forca e votuesve të LDK-së do të shihet më 15 mars.

“Pretendimet e tij janë mendime të tij. Ajo që mund të them unë është se z. Bulliqi do ta provojë forcën e LDK-së tash në garën që do ta kemi më 15 mars. Do të shohë z. Bulliq se elektorati i LDK-së në këtë komunë do t’i qëndrojë besnik Lidhjes Demokratike të Kosovës, kurse ai do të pretendoëj të marrë vota nga subjekti që e ka propozuar”, është shprehur Rudari.

Kandidat i LDK-së për kryetar të kësaj komune ka thënë se dy kundërkandidatët e tij, Shpejtim Bulliqin nga LV-ja dhe Naim Fetahun nga PDK-ja, nuk i sheh konkurrentë në këtë garë. Rudari ka vlerësuar se atyre u mungon përvoja në qeverisje lokale.

“Mendoj se kjo do të jetë lehtësim për mua sepse unë kam qenë bashkëpunëtor i ngushtë me z. Veliu gjatë kësaj kohe, qoftë si drejtor i Arsimit, qoftë për një vit e gjysmë si nënkryetar i komunës. Mendoj se do të jetë një lehtësim për mua ngaqë kam qenë i kyçur në të gjitha proceset dhe fazat e projekteve komunale. Meqenëse kam njohuri për të gjitha punët që janë kryer dhe ato që duhet të kryhen në Podujevë, kjo do të jetë një rrethanë lehtësuese për mua”, ka thënë Rudari.

 “Epoka e re”: Z. Rudari, jeni zgjedhur kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës. Do ta kërkoni votën e qytetarëve të kësaj komune për vazhdim të punëve të qeverisjes aktuale apo me ndonjë ofertë të re?
Rudari: Tash unë si pjesë e ekzekutivit, si nënkryetar i Komunës së Podujevës, jam i vetëdijshëm se të gjitha projektet për vitin 2020 janë të miratuara në Asamblenë Komunale në fund të vitit të kaluar. Kështu që, unë duhet të punoj për zbatimin e të gjitha projekteve që janë miratuar në Kuvendin Komunal për këtë vit.

 “Epoka e re”: Sa sfiduese do të jetë për ju ta pasoni Agim Veliun, i cili për disa mandate ka qeverisur këtë komunë?
Rudari: Mendoj se kjo do të jetë lehtësim për mua, sepse unë kam qenë bashkëpunëtor i ngushtë me z. Veliu gjatë kësaj kohe qoftë si drejtor i Arsimit, qoftë për një vit e gjysmë si nënkryetar i komunës. Mendoj se do të jetë një lehtësim për mua ngase kam qenë i kyçur në të gjitha proceset dhe fazat e projekteve komunale. Meqenëse kam njohuri për të gjitha punët që janë kryer dhe ato që duhet të kryhen në Podujevë, kjo do të jetë një rrethanë lehtësuese për mua.

“Epoka e re”: Nëse fitoni, do të sillni ndonjë risi në qeverisje apo vetëm do ta vazhdoni logjikën qeverisëse të deritashme?
Rudari: Do të vazhdoj koncepti qeverisës i LDK-së në këtë komunë. Ndërsa janë disa gjëra që individë të ndryshëm në institucione të ndryshme i bëjnë sipas karakterit dhe njohurive që kanë. Pra, mund të ketë ndryshime të vogla, por në vija të trasha do të jetë koncepti qeverisës i hartuar në programin qeverisës të LDK-së për këtë fazë.

“Epoka e re”: Kandidat për kryetar të Podujevës kanë nxjerrë edhe LV-ja dhe PDK-ja. Cili është vlerësimi juaj për këta konkurrentë?
Rudari: Nuk i shoh si konkurrentë sepse atyre u mungon bukur shumë përvoja në qeverisjen lokale. Unë kam pasur rastin të punoj edhe në institucione qendrore dhe në ato lokale. Pra, kam përvojën e duhur për ta drejtuar Komunën e Podujevës dhe kjo për mua do të jetë lehtësim, sepse e di se si funksionon qeverisja lokale dhe si zhvillohen procedurat. Ndërkaq dy kundërkandidatët e mi kanë shumë më pak njohuri në fushën e qeverisjes lokale.

“Epoka e re”: Kandidati i LV-së për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, beson se do të arrijë ta thyejë bastionin e LDK-së në këto zgjedhje dhe ta ndryshojë qeverisjen në këtë komunë?
Rudari: Pretendimet e tij janë mendime të tij. Ajo që mund të them unë është se z. Bulliqi do ta provojë forcën e LDK-së tash në garën që do ta kemi më 15 mars. Do të shohë z. Bulliq se elektorati i LDK-së në këtë komunë do t’i qëndrojë besnik  Lidhjes Demokratike të Kosovës, kurse ai do të pretendojë të marrë vota nga subjekti që e ka propozuar.

 “Epoka e re”: Sa besoni se do ta arrini ta mbroni bastionin e LDK-së?
Rudari: Jam shumë i bindur se do ta mbrojmë, sepse qytetarët e Llapit i kanë parë të arriturat e qeverisës së LDK-së në këtë komunë, të cilat janë të prekshme. Kështu që, mendoj se ka ende shumë për t’u bërë, por elektorati i LDK-së në këtë komunë është stabil dhe ashtu do të jetë edhe në ditën e zgjedhjeve.

 “Epoka e re”: Cilat janë pritjet e juaja më 15 mars? Do të fitoni pa balotazh?
Rudari: Ne synojmë dhe do të përgatitemi që ta fitojmë këtë garë pa balotazh dhe ta vazhdojmë qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Podujevës. Pra, presim që këto zgjedhje t’i fitojmë qysh në raundin e parë.

 “Epoka e re”: E pritni mbështetjen e kryetarit të deritanishëm të komunës, z. Veliu, i cili tashmë është emëruar ministër i Punëve të Brendshme?
Rudari: Besoj se secili subjekt politik do t’i mbështesë kandidatët e vet.  Sigurisht së LDK-ja edhe prej qendrës do të më mbështetë mua. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë kandidatin e vet e PDK-ja të vetin.

“Epoka e re”: Zgjedhjet lokale në këtë komunë, a do të ndikojnë në stabilitetin e koalicionit qendror në mes të LV-së dhe LDK-së?
Rudari: Mendoj se është mirë që në nivelin qendror LDK-ja është në bashkëqeverisje me LV-në, sepse kështu kanë votuar qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme në tetor të vitit të kaluar. Pra, i është dhënë rasti ta qeverisë vendin opozitës së mandatit të kaluar. Kurse sa i përket qeverisjes lokale, mendoj se LDK-ja ka mundësi që sikurse në këto 20 vjet, e vetme të qeverisë dhe ta udhëheqë ekzekutivin e Podujevës.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit…