Do të ishte gabim të shkojmë sërish në zgjedhje të reja
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në një intervistë për Ekonomia Online ka paralajmëruar se nuk do të jetë bllokues në Kuvend gjatë zgjedhjes së presidentit, nëse prezenca e tij është ajo që e ndryshon situatën.
Pacolli ka thënë se s’do të jetë hakmarrës ndaj askujt dhe se do të ishte gabim i madh nëse Kosova do të shkonte prapë në zgjedhje, shkaku i çështjes së presidentit.
“Do të ishte gabim i madh që Kosova prapë të shkojë në zgjedhje. Nuk mund të shkojë ky vend të zgjedhje çdo vjet. Ky vend duhet të ecën përpara, sepse kemi aq shumë punë për të bërë, probleme të pazgjidhura dhe nuk besoj që një njeri që e don Kosovën ta fusë prapë në një vakum institucional dhe të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Pacolli.
Ai ka thënë se vota e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë ndëshkim për partitë politike që kanë qenë në pushtet.
Pacolli i cili ka qenë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, foli edhe sa i përket rezultatit të zgjedhje duke shtuar se ka qenë mjaft zhgënjyes si për LDK-në, po ashtu edhe për AKR-në.
“Unë kam menduar se LDK-ja, partia me të cilën kemi bashkërrugëtuar në këto zgjedhje do të dalë më mirë, por rezultati i arritur ka qenë jashtëzakonisht zhgënjyes. Kështu që është rast i mirë për reflektim të Lidhjes Demokratike të Kosovës por jo vetëm, por çdo parti e cila ka qenë në pushtet deri tani të reflektojë dhe të shoh ku ka gabuar në çka ka gabuar dhe të mundohet në të ardhmen që të përmisojë gabimet e saja dhe mos ta lërë të e bie pluralizmi në Kosovë. Ne kemi nevojë për çdo parti politike pa marrë parasysh ideologjinë e tyre por kuptimi i ekzistencës të çdo partie politike në Kosovë do të jetë kuptimplotë ose i arsyeshëm vetëm nëse ato kontribuojnë në ngritjen e standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës. Ende nuk janë numëruar të gjitha votat. Sigurisht nuk do të jetë në rezultat për tu lavdëruar dhe që na bënë të krenohemi. Është m,bi 90% që të kalojë pragun i cili do të jetë për LDK-në. por se a do të mund ta kalojmë pragun nuk mund të them ende asgjë”, ka thënë Pacolli.



